(Në vend të komunikatës – përgënjeshtrim i Lëvizjes)
Në një klimë politike dhe kulturore ku populizmi është bërë normë dhe e vërteta shpërfillet në emër të imazhit, lajmi “Qeveria miratoi ligjin për Medresenë” është një nga shembujt më flagrant të manipulimit institucional, mashtrimit mediatik dhe përvetësimit të papërgjegjshëm të një procesi shtetëror. Ky rast nuk është thjesht çështje interpretimi apo pasaktësie gjuhësore. Jo. Është një gënjeshtër e pastër, e qëllimshme dhe e orkestruar, për ta përshkruar një akt administrativ rutinor si një “fitore historike” të një strukture fetare specifike të udhëheqësit drejt rrënimit fatal nga Shaqir Fetait.
Së pari, është absolutisht e pasaktë në aspektin juridik dhe institucional të thuhet se “Qeveria ka miratuar ligjin për Medresenë”. Në rendin kushtetues të Republikës së Maqedonisë së Veriut, vetëm Kuvendi e ka kompetencën për të miratuar ligje. Qeveria nuk miraton ligje; ajo vetëm i kalon si propozim-ligje për shqyrtim në Kuvend. Ky është një fakt bazik i funksionimit të një shteti parlamentar. Çdo gjuhë tjetër, e thënë nga injoranca apo qëllimisht, përbën manipulim dhe shpërdorim të opinionit publik.
E megjithatë, në mënyrë skandaloze dhe të turpshme, komunikata e lëshuar nga Bashkësia Fetare Islame, e firmosur ose e diktuar nga vetë Shaqir Fetai, deklaroi me plot gojën se “qeveria e ka miratuar ligjin për Medresenë Isa Beu”. Kjo frazë është një mashtrim në formë zyrtare, një përpjekje për të privatizuar një proces ligjor që në të vërtetë i përket të gjithë qytetarëve dhe të gjitha bashkësive fetare në vend. Dhe akoma më keq: kjo gënjeshtër u përhap si e vërtetë nëpër shumë media, përfshirë edhe ato publike, të cilat, të keqinformuara ose të manipuluara, raportuan pa verifikim se gjoja Qeveria ka miratuar një ligj ekskluziv për një shkollë të vetme – Medresenë.
Kjo është e papranueshme në çdo shoqëri që pretendon të ketë integritet institucional dhe arsim të depolitizuar.
Realiteti është ky: Qeveria ka kaluar për në Kuvend një propozim-ligj, i cili ka për qëllim rregullimin e shkollave të mesme fetare në përgjithësi, brenda kornizës së Ligjit për Kishat dhe Bashkësitë Fetare, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Mesëm dhe me kompetencat e Ministrisë së Arsimit. Ky është një akt që i shërben të gjitha bashkësive fetare dhe nxënësve të tyre, jo një akt i personalizuar, jo një “fitore” e Medresesë, e aq më pak e Shaqir Fetait.
Por ky i fundit, i fiksuar pas përfitimeve personale dhe lavdisë së rreme, ka ndërtuar një narrativë ku realiteti shërben vetëm si sfond për mashtrimin. Kujtojmë se dy vite më parë, ai vetë me zyrtarët e tij të BFI-së shpalli publikisht se Medreseja ishte tashmë e akredituar me vendim të Qeverisë, duke ftuar nxënësit të regjistroheshin me garancinë e një të ardhmeje të rregulluar ligjërisht. Sot, me këtë ligj të ri, pranohet haptazi se ajo deklaratë ishte rrenë, sepse nuk mund të rregullohej diçka që ishte rregulluar tashmë!
Kush mban përgjegjësi për këtë mashtrim? Kush do të japë llogari për dy breza nxënësish që janë regjistruar në një shkollë të paakredituar, me premtime të rreme?
Dhe mbi të gjitha, si guxon një komunikatë zyrtare të turbullojë opinionin publik, të keqinformojë median dhe të përvetësojë një proces shtetëror për kredibilitet fetar të brendshëm?
Nëse në një vend laik një komunitet fetar lejohet të ndërtojë gënjeshtra institucionale për lavdi personale, atëherë kemi hyrë në një epokë të errët, ku ligji nuk është më instrument i barazisë, por skenë për manipulim egocentrik.
Është detyrë e të gjithë aktorëve publikë dhe mediave të denoncojnë këtë lloj gënjeshtre me përmasa ligjore, të korrigjojnë lajmet e rreme dhe të kërkojnë transparencë e përgjegjësi nga autorët e manipulimit. Sepse në fund të fundit, nuk mund të ketë lavdi mbi themele të rreme. Dhe nuk mund të ketë arsimim të denjë mbi mashtrime të mirëorganizuara. Dhe për këtë, përgjegjësinë nuk e mban vetëm ai që mashtron, por edhe shteti që hesht, para gënjeshtrave publike për të cilat nuk thërret në përgjegjësi asnjë gënjeshtar para organeve gjegjëse shtetërore. /LMR në BFI/