Editorial i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI
Në mars të vitit 2024, Shaqir Fetai, ky instalacion i dhunshëm në krye të BFI-së do të njoftonte me bujë të madhe se Medreseja “Isa Beu” në Shkup kishte marrë më në fund akreditim zyrtar dhe statusin e rregullt si shkollë e mesme. Ky lajm u përhap si një triumf institucional dhe u paraqit si kurorëzim i një beteje shumëvjeçare për njohjen ligjore dhe akademike të këtij institucioni arsimor islam. Drejtori i Medresesë, Islam Islami, e quajti këtë një fitore të madhe dhe uroi të gjithë nxënësit dhe stafin. U pretendua se ky vendim u hapte dyert medresantëve drejt universiteteve brenda dhe jashtë vendit, si çdo maturanti tjetër i sistemit të rregullt të arsimit të mesëm.
Por vetëm pesëmbëdhjetë muaj më vonë, narrativa pëson një kthesë të habitshme. Në deklarata të reja publike, po i njëjti drejtues, Islam Islami, pranon se akreditimi i Medresesë ende “po gjen zgjidhje ligjore” dhe se për tridhjetë vite me radhë kjo çështje nuk kishte marrë trajtimin e duhur. Madje pranohet se zgjidhja e ndërmarrë më parë – konkretisht regjistrimi i Medresesë si një “gjimnaz” – ishte një hap i gabuar që e kishte shkëputur këtë institucion nga kontinuiteti i vet historik dhe pedagogjik. Ky deklarim i vonshëm dhe kontradiktor i heq maskën farsës së shpallur në mars të vitit të kaluar: Medreseja nuk kishte marrë akreditim të vërtetë. Ajo nuk ishte trajtuar ashtu siç u pretendua nga mashtruesi, Shaqir Fetai dhe, publiku, medresantët, prindërit e tyre dhe komuniteti islam ishin mashtruar në mënyrë të qëllimshme. Sott, Shaqir Fetai po rri si pulë e lagur dhe në front po e nxjerr drejtorin aktual të Medresesë, i cili, madje, nuk po ia përton angazhimit për ta nxjerrur në sy të opinionit Shaqir Fetain si manipulator!
Ky nuk është vetëm një manipulim mediatik apo një gabim procedural. Ky është një mashtrim institucional me pasoja të thella dhe, për më keq, një mashtrim i kryer nga vetë ata që duhej të ishin garantë të moralit, ndershmërisë dhe përgjegjësisë publike. Kur drejtori i një shkolle fetare publikon deklarata të pasakta për një çështje kaq të ndjeshme dhe më pas hesht për muaj të tërë, për të pranuar më vonë se gjithçka ishte ndryshe, atëherë kjo nuk është më vetëm çështje kompetence apo mungese informacioni. Kjo është papërgjegjësi morale dhe institucionale që kërkon përgjigje serioze.
Skandali thellohet kur shohim dimensionin politik të kësaj loje. Si është e mundur që drejtues të BFI-së, që vetëm pak vite më parë ishin të lidhur ngushtë me qeverinë që instaloi Shaqir Fetain në krye të institucionit, tani lavdërojnë një qeveri të re, kundërshtare direkte e atij ndikimi? Si mund të mohohet kontributi i ish-qeverisë në procesin e fillimit të legalizimit të Medresesë, ndërkohë që glorifikohet një qeveri tjetër që, ndonëse e përmirëson gabimin, e gjen veten në pozita tërësisht të kundërta politike? Kjo nuk është as maturi politike, as diplomaci fetare. Kjo është hipokrizi e zhveshur, oportunizëm institucional dhe manipulim i ulët i opinionit publik.
Dhe në këtë mes, më e dëmshmja është pasoja mbi vetë Medresenë. Sipas formulës së re ligjore që tani po paraqitet si “zgjidhje e duhur”, nxënësit e Medresesë mund të regjistrohen në universitet vetëm pas përfundimit të provimit shtetëror të maturës. Ky provim është pjesë e sistemit për të gjithë nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale – dhe si i tillë, nuk përbën diskriminim në vetvete. Por ajo që përbën problem është mënyra se si e gjithë kjo u paraqit fillimisht si vendim i qeverisë së Talat Xhaferit: sikur akreditimi i Medresesë i jepte automatikisht të drejtën për qasje të lirë në universitete, pa pasur nevojë për të kaluar nëpër filtrin standard të maturës. Pra, ajo që u reklamua si një sukses i veçantë, në realitet qenka vetëm barazim me rregullat e përgjithshme që vlejnë për të gjithë. Dhe ky barazim – që vetvetiu është i mirëpritur – u shit si privilegj ekskluziv. Ky është manipulim. Dhe është përçmim ndaj opinionit dhe inteligjencës së komunitetit islam.
Situata bëhet edhe më e rëndë kur merren parasysh pasojat historike të këtij procesi të shtrembëruar. Me regjistrimin si “gjimnaz” dhe jo si shkollë e mesme profesionale, Medreseja “Isa Beu” praktikisht u shkëput nga identiteti i saj i mëparshëm, që për dekada të tëra kishte ndërtuar profilin arsimor dhe fetar të brezave të tërë të imamëve, dijetarëve dhe qytetarëve të devotshëm. Ky ishte një ndërprerje brutale e kontinuitetit, një goditje e rëndë ndaj historikut të arsimit islam në vend. Sot, drejtuesit e saj e pranojnë se ajo zgjidhje ishte e gabuar – por kush do të mbajë përgjegjësi për atë gabim?
Nuk mjafton më të thuhet: “Gabimi u ndreq”. Kush e autorizoi këtë manipulim? Kush i mori vendimet pa transparencë, pa konsultim me komunitetin, pa respekt për historinë e institucionit? Kush e çoi Medresenë drejt një deformimi juridik që rrezikoi të fshijë nga kujtesa e brezave të rinj një prej vlerave më të çmuara të arsimit islam në Ballkan? Në intervistën e dhënë për AlsatM, drejtori Islam Islami, nën rreshta këtë fajësi e manipulim ia hodhi Shaqir Fetait.
Këto nuk janë vetëm çështje etike apo morale. Këtu kemi të bëjmë edhe me përmasa të mundshme të përgjegjësisë ligjore dhe penale. Kush guxon të manipulojë me dokumente zyrtare, të gënjejë publikisht për statusin juridik të një institucioni arsimor, të shpërndajë informacione të rreme për të mbrojtur interesa personale apo për të shërbyer agjendave të caktuara politike – duhet të mbahet përgjegjës para ligjit. Sepse arsimi nuk është fushë për eksperimente politike, dhe feja nuk është plaçkë për pazar institucional.
Në fund të fundit, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush është në krye të BFI-së, Medreseja duhet të qëndrojë si simbol i dijes, moralit dhe drejtësisë. Dhe nëse sot ajo është bërë arenë për manipulim, heshtje dhe mashtrim, atëherë është koha që komuniteti islam, stafi arsimor, dhe besimtarët të kërkojnë llogari. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë heshtja jonë do të jetë pjesë e këtij poshtërimi të cilin e ka “bekuar” Shaqir Fetai.