Një lider karizmatik është shumë më shumë se një person që thjesht i ndjek rregullat ose jep urdhëra. Ai është një prijës që ka aftësinë të inspirojë, të ndikojë dhe të bashkojë individët rreth një qëllimi të përbashkët. Karizma nuk është diçka që mund të mësohet lehtë, që blihet apo që falet, por është një kombinim i natyrës personale, aftësisë për të komunikuar, dhe ndjeshmërisë ndaj nevojave dhe shqetësimeve kombëtare e shoqërore
Nga Arbër Aliu
Karizma është një cilësi që përdoret për të përshkruar liderin që ka aftësinë për të tërhequr dhe inspiruar ndjekësit e vet në mënyrë të veçantë.
Lideri karizmatik është i aftë të komunikojë ide dhe mesazhe në mënyrë të qartë dhe të fuqishme.
Lideri karizmatik gjithmonë shfaq nivel të lartë të besimit në vetvete, që bën që ai të duket i qëndrueshëm dhe i besueshëm, intelegjent dhe koherent në qëndrimet e veta që dalin nga platforma e tij që ofron zgjidhje fatlume. Besimi i tij nuk është arrogant, por është i bazuar në aftësinë për të udhëhequr dhe marrë vendime të rëndësishme në kohë të pasigurisë. Siguria e liderit krijon një ambient të sigurt për ndjekësit, të cilët besojnë se udhëheqësi i tyre do të tregojë drejtim të saktë dhe do të arrijë qëllimet, qofshin ato politike, fetare, kombëtare etj.
Portreti i liderit karizmatik
Një lider karizmatik di të lidhet me ndjekësit e vet në nivel emocional. Empatia e tij është kyçe për të kuptuar nevojat dhe shqetësimet e grupit dhe për t’u siguruar që ata ndihen të dëgjuar, të respektuar dhe të vlerësuar.
Lider karizmatik ka një vizion të qartë për të ardhmen dhe di si ta komunikojë atë me audiencën e vet. Kur ndjekësit besojnë në atë që lideri përfaqëson, ata janë më të gatshëm të ndjekin dhe të kontribuojnë për realizimin e këtij vizioni.
Një lider karizmatik është i vërtetë dhe i sinqertë. Ndjekësit shpesh mund të ndjejnë kur një lider është duke vepruar për interesa personale apo për t’u prezantuar si dikush tjetër. Karizma buron nga autenticiteti – një lider që është i sinqertë dhe që qëndron pas fjalëve dhe veprimeve të tij do të krijojë besim dhe do të fitojë mbështetje të fortë nga të tjerët.
Lideri karizmatik është i përkushtuar dhe i pasionuar për qëllimet dhe misionin e vet. Ky pasion është ngjitës dhe motivon të tjerët që të japin më të mirën e tyre. Lideri karizmatik nuk është hakmarrës, nuk tronditet nga kritika objektive, gjithnjë është me strategji autentike për tërheqjen kah vetja të kritikëve, të oponencës së vet. Lideri karizmatik është udhëheqës që e di se si të mbajë ekipin të bashkuar dhe të motivuar në kohë të vështira.
Lideri karizmatik gjithnjë shfaq ndjenja të thella dhe të sinqerta dhembshurie dhe mirësie për të tjerët. Ky lloj i sjelljes mund të krijojë një lidhje të fortë mes liderit dhe ndjekësve të tij, duke i bërë ata të ndihen të vlerësuar dhe të respektuar.
A kanë pasur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut liderë karizmatikë? Po, madje me përmasa të liderit gjithëkombëtar! Në sferën politike lider karizmatik me plotë kuptimin e fjalës ka qenë Arbën Xhaferi, pastaj vjen edhe Ali Ahmeti! Si i pari ashtu edhe i dyti kanë qenë të dashur e të respektuar, të nderuar e me ndikim si brenda kampusit të politikanëve kombëtar ashtu edhe nëpër instanca të ndryshme ndërkombëtare! Ndërsa në rrafshin fetar, figurën e liderit karizmatik të pakontestueshëm mund ta gjejmë te Hafëz Bedri ef. Hamidi si dhe te H. Sulejman ef. Rexhepi, prijës fetar të dy periudhave të ndryshme: i pari i periudhës post-Rilindjes kombëtare dhe i dyti, i periudhës post-komuniste që shënon demokratizimin e sistemit politik dhe të shoqërisë mbarë.
Monografia e kombëtares
Natyrisht, Institucioni fetar (BFI) ka pasur edhe drejtues të tjerë por, nuk mund të flitet për ndonjë karizëm elementar të tyre. Vetëm në periudhën post-komuniste kemi, përveç Sulejman ef. Rexhepit, edhe tri udhëheqës të tjerë: Arif Emini, Bahri Aliun si dhe drejtuesin aktual, Shaqir Fetain.
Se kush ishte Hafëz Bedri Hamidi, këtë mund ta dijmë tani falë monografisë me titull “BEDRI HAMIDI, atdhetar dhe udhëheqës shpirtëror mysliman”, i autorëve Dr. Qerim Lita dhe Avni Halimi. Monografia (e botuar më 2017 nga BFI) bazohet në dokumentat e hulumtuar në Arkivin Shtetëror të Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Vetriut. Në hyrje të kësaj monografie është edhe shënimi që flet se libri përgatitet dhe botohet me insistim të Reisul Ulemasë së BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit, i cili në shenjë respekti dhe nderimi të paepur që ka pasur për këtë figurë të pakontestueshme fetare e kombëtare, ka këmbëngulur në sponsorizimin dhe botimin e librit që ndriçon dhe përkujton figurën madhështore të këtij lideri karizmatik fetar e kombëtar.
Një libër i tillë monografik do të mund të botohej edhe për ish-kryetarin historik të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepin, i cili, nga bashkëpunëtorët e vet gjithnjë është vlerësuar dhe dashur si figurë markante, si lider i papërsëritshëm fetar e kombëtar.
Çka e karakterizon liderizmin e fuqishëm të efendi Rexhepit? Ai kujtohet si drejtues shumë i shkathët, intelegjent dhe i përkushtuar! Ai është nismëtarë i rikthimit dhe i kultivimit fuqishëm të identitetit fetar tek shqiptari mysliman! Ai kurrë nuk rreshti në sensibilizimin e botës myslimane për çështjen kombëtare shqiptare! H. Sulejman ef. Rexhepi gjendet në ballë të çdo përpjekje kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe jo vetëm! Fjala e tij jo vetëm që kishte peshë por edhe ndikim! Qëndrimet e tij prej burri të paluhatshëm bënë që shumë procese kombëtare të zgjidhen duke u thyer qëndrimet antishqiptare e antimyslimane të subjekteve që assesi nuk po pajtoheshin me ardhjen e “orës shqiptare”!
H. Sulejman ef. Rexhepi shfrytëzoi kongrese e konferenca të rëndësishme ndërkombëtare-arabe për ta ngritur lart e më lart çështjen shqiptare në Ballkan. Ishte në ballë të përpjekjeve për ta rilindur apo rizgjuar Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për t’i dhënë krah e fuqi Bashkësisë Fetare Islame në Kosovë, për ta themeluar Meshihatin e Sanxhakut! Fati deshti që të jetë në krye të organizimit humanitar për mbi 20 mij myslimanë nga Bosnjë-Hercegovina që u strehuan në Maqedoninë e Veriut. Ishte luftëtar i denjë në thyerjen e të gjitha koncepteve dhe planeve gligoroviane për ngritjen e korridoreve për lëvizjen shpërngulese të shqiptarëve nga Kosova për në Shqipëri në rast të spastrimit etnik serb. Jo vetëm që u strehuan mbi 500 mij shqiptarë nga Kosova nëpër kampe e shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, por edhe u mbajtën, u ndihmuan si gjatë qëndrimit ashtu edhe gjatë kthimit të furishëm të tyre në Kosovën e çliruar.
I madhi Prof. Fadil Sulejmani thoshte se, pa kontributin dhe angazhimin e Sulejman Rexhepit vështirë se do të mund të realizohej projekti madhor kombëtar, Universiteti i Tetovës!
Janë një sërë aktivitetesh kombëtare e fetare prej një lideri karizmatik të H. Sulejman ef. Rexhepit, të cilët do ta nxisin mekanizmin denigrues, poshtrues e shpifës të shërbimeve sekrete serbo-maqedonase me qëllim për ta njollosur dhe devalvuar këtë figurë të paarritshme kombëtare-fetare, përpjekje këto që kulmuan me organizimin të një puçi klasik duke e zëvendësuar atë me një person tëpër kontravers, të rrezikshëm në skenën e çështjeve fetare e kombëtare, përçarës dhe me një shpirt cinik e të pandjeshëm përballë problemeve që dëmtojnë si çështjen kombëtare ashtu edhe atë fetare në Maqedoninë e Veriut, me Shaqir Fetain i cili për gati tri dekada i shërbeu “besnikërisht” Sulejman Rexhepit, kurrë pa u zbuluar se kishte qenë marionetë edhe i shërbimeve sekrete.
Monografia e tradhëtisë
Nëse për ish-reisët Arif Emini dhe Bahri Aliu, nuk ka kurrfarë materiali, kurrfarë motivi e inspirimi për ndonjë monografi, një monografi eventuale për Shaqir Fetain, instaluesin e shërbimeve të dyshimta në krye të BFI-së, do të ishte një material i turpshëm, i tmerrshëm me fakte e argumente që do të flisnin për një periudhë shumë fatale si për çështjen fetare ashtu edhe për atë kombëtare në RMV.
Kapitulli i instalimit të tij në krye të BFI-së do të fliste për një aksion të errët, të turpshëm, të dëmshëm dhe joshqiptar (e aq më pak fetar!); do të fliste për një tradhëti të madhe jo vetëm ndaj prijësit, jo ndaj shokut e vëllait, jo ndaj atij që i dha nder e emër, por edhe ndaj një platforme kombëtare mbi të cilën po zhvillohej jeta fetare islame në vend; do të fliste për një ndërhyrje policore të pashembullt në punët e brendshme të një institucioni fetar duke instaluar në krye të tij person për të cilin rrjedh në opinion dokumenti si bashkëpunëtor i UDB-së nën pseudonimin ORAO!
Kapitulli i “etablimit” të tij do të fliste për një platformë të intrigave, të përçarjeve, të skandaleve nga më të turpshmet me qëllim të defokusimit të opinionit nga plani i tij për t’i vjedhur letrat në vlerë dhe për ta dëmtuar vakëfin duke e varfëruar për miliona euro!
Kapitulli i rrënjëzimit të këtij farë “lideri” kontravers do të fliste për shkaktimin e më shumë përçarjeve që do ta lehtësonin planin e shkatërrimit dhe të rrënimit të BFI-së, të deorganizimit total, dehumanizmit të Institucionit, të minimizimit deri në asgjë të rolit të BFI-së në shtet e në shoqëri si dhe në defaktorizimin e këtij Institucioni duke lejuar dhe stimuluar regjistrime të sa më shumë “institucioneve” dhe organizatave simotra në vend.
Kapitulli përmbyllës i ndonjëfarë monografie eventuale për Shaqir Fetain do të konsistonte në katër zhvillime të turpshme: në zhvillimin e vjedhjes profesionale, në zhvillimin e “aparaturës dhe mekanizmit” shkatërrues dhe në zhvillimin e defaktorizimit të BFI-së dhe në zhvillimin e përpjekjeve për të siguruar mbështetje e përkrahje nga “institucionet shtetërore” në vend se atë ta sigurojë nga uniteti stabil i trungut kombëtar e fetar, zhvillime këto që e shtojnë madheshtinë dhe nostalgjinë për liderët karizmatik fetar si hfz. Bedri Hamidin e H. Sulejman ef. Rexhepin.
Mbase një ditë do të shkruhet edhe kjo monografi me qëllim që kurrë në jetë të mos u përsëritet më shqiptarëve dhe myslimanëve të vendit “fenomeni Shaqir Fetai-ORAO”! Janë mijëra materiale, qindra deklarime e konstatime tashmë të publikuara që do ta përbënin brumin e kësaj monografie të tradhëtisë!
Në vend të përfundimit
Një lider fetar nëse përfshihet në aktivitete që duken të lidhura me interesat e huaja ose me pasiguritë e brendshme, kjo minon unitetin dhe stabilitetin e shoqërisë, duke krijuar tensione dhe përçarje. Prandaj sot kemi myftini, myftinj, xhami e imamë, që nuk e pranojnë për drejtues Shaqir Fetain. Kemi ftohje të subjekteve politike e të korit diplomatik të cilët as që shprehin ndonjë konsideratë të përafërt siç shprehej dikur për BFI-në por dhe për H. Sulejman ef. Rexhepin.
Prandaj, në këto kohë të pasigurta e me furtuna nga të gjitha anët, sa më shpejt që të hiqet kjo egjër nga kallami i bukës aq më shumë do të kemi miell të dekontaminuar për shoqërinë në përgjithësi! /Fjala/