Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen këtë të premte në Gjenevë me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi, në përpjekje për të ulur tensionet e shtuara në krizën midis Iranit dhe Izraelit.
Nëse takimet zhvillohen sipas planit, ato do të jenë bisedimet e para ballë për ballë midis Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga sulmi i Izraelit ndaj Iranit një javë më parë, shkruan BBC.
Këto takime do të përfaqësonin gjithashtu përfshirjen më të rëndësishme të Evropës në krizën në rritje. Vonesa e papritur prej dy javësh nga presidenti amerikan, Donald Trump në marrjen e një vendimi për një ndërhyrje ushtarake u jep diskutimeve në Gjenevë më shumë peshë.
Përpara shpërthimit të konfliktit, Shtetet e Bashkuara po zhvillonin bisedime dypalëshe me Iranin për një marrëveshje të re bërthamore, duke lënë mënjanë Evropën, e cila kishte luajtur një rol kyç në marrëveshjen e vitit 2015, nga e cila Donald Trump u tërhoq gjatë mandatit të tij të parë.
Ministrat evropianë pritet t’i bëjnë thirrje Iranit të rikthehet në tryezën e negociatave, ndërsa Irani thotë se e dëshiron këtë, por jo ndërsa është nën sulm.
Irani gjithmonë ka pohuar se programi i tij bërthamor është paqësor. Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me të tjerë kanë vlerësuar se ai nuk ka synuar zhvillimin e armës që nga viti 2003. Megjithatë, Irani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele afër atyre për armë dhe besohet se mund të zhvillojë disa armë brenda muajsh nëse dëshiron ta bëjë.