FSK në stërvitje për gjuajtje taktike me mortaja

Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se me mbështetjen e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SATMO), po vijon përpjekjet për avancimin dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale dhe mbështetjes luftarake të personelit ushtarak.

Prandaj, në kuadër të kësaj, FSK-ja a bërë të ditur se ushtarët e Kosovës po realizojnë aktivitetin e gjuajtjes me mortaja, stërvitje që po realizohet në Shqipëri në koordinim të ngushtë me SATMO, si dhe me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

“Në përputhje me planet e trajnimit dhe në koordinim të ngushtë me SATMO, si dhe me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, po realizohet aktiviteti i gjuajtjes taktike me mortaja në stërvitjen që po zhvillohet në Biza  të Republikës së Shqipërisë. Ky aktivitet synon rritjen e gatishmërisë operative, forcimin e bashkëpunimit rajonal mes forcave tona dhe partnerëve ndërkombëtarë.

FSK-ja thotë se trajnimi është realizuar në pjesën teorike dhe praktike i fokusuar në tri detyra kryesore.

“Trajnimi me mortaja (Mortar training), Kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe Mortajave (Infantry mortar leader course), Vëzhgues i përparmë (Forward observer) ku janë stërvitur në: Përdorimin e sigurt të mortajave, shënjestrimi, gjuajtja, stërvitje e procedurave të koordinimit dhe komunikimit midis elementeve të zjarrit dhe njësive taktike, shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira me trajnerët dhe këshilltarët e partnerëve ndërkombëtarë”, bëhet e ditur në njoftim për këtë stërvitje të ushtarëve të FSK-së.

Forca e Kosovës thotë se ky bashkëpunim forcon kapacitetet profesionale të tyre dhe kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin rajonal përmes trajnimit të sinkronizuar dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *