Editorial: “Fabrika” e përçmimit

Shaqir Fetai edhe një herë pa kurrfarë ngurrimi ofendoi institucionet e shenjta: ai shkroi: “Vizita në Fabrikën e Shkrimeve të Shenjta të Qabes” / “Sot, më 21 Gusht, patëm nderin të vizitojmë fabrikën ku krijohen shkrimet e mrekullueshme që zbukurojnë Qaben e ndritshme. Historia e tyre është e mahnitshme – një rrëfim i artit dhe shpirtit të kaligrafëve më të njohur të botës islame”

Nga përdorimi i një fjale të vetme, “fabrikë”, demaskohet sërish një dukuri shqetësuese në rritje: banalizimi i artit dhe shpërfillja e trashëgimisë kulturore nga figura që, në teori, duhet ta mishërojnë dhe nderojnë atë. Shaqir Fetai, një individ që ka uzurpuar pozitë publike me ndikim në sferën fetare, ka zgjedhur ta përshkruajë një nga punishtet më të shenjta dhe më të respektuara të botës islame me termin “fabrikë”, duke treguar njëherësh një mungesë të thellë ndjeshmërie kulturore dhe gjuhësore, por edhe një përçmim të pakuptuar ndaj vetë asaj që pretendon të përfaqësojë.
Le ta bëjmë të qartë: ajo që ai quan “fabrikë” nuk është as linjë industriale, as repart për prodhimin e masave të mishit të përpunuar. Bëhet fjalë për një atelie të përkushtuar, një hapësirë ku mjeshtrit e kaligrafisë islame, shpesh me dekada përvojë dhe formim shpirtëror, krijojnë me dorën e tyre tekstet më të shenjta për zbukurimin e Qabes, qendrës më të shenjtë të Islamit. Nuk ka asgjë mekanike në këtë proces, është punë shpirtërore, artistike dhe e shenjtë. Është arti i ngritur në akt adhurimi.
Termi “fabrikë”, në këtë kontekst, nuk është thjesht zgjedhje e gabuar fjalori. Është një sintagmë e çoroditur, e ftohtë, dhe në thelb përbuzëse, që tregon qartësisht paaftësinë për të kuptuar dhe respektuar kontekstin ku ndodhet. Nuk është një rastësi. Është një qëndrim. Një shenjë e qartë se për autorin e këtij “lajmi”, arti i kaligrafisë është një produkt industrial, një sallamë apo salçiçe dhe jo një shprehje e hyjnishme.
Të tillë individë, të cilëve u mungon kultura estetike, ndjeshmëria gjuhësore dhe vetë edukimi elementar mbi artin islam, janë simptomë e një krize më të thellë në institucionet tona fetare dhe kulturore: përfaqësimi i shenjtërisë nga figura që nuk kuptojnë dot as vlerën, as simbolikën, as historinë e saj. Për ta, gjithçka është mall, gjithçka është prodhim, gjithçka është propagandë.
Kur një kaligraf gdhend-shkruan me dorë tekstet e shenjta në mbulesën e Qabes, ai nuk është punëtor fabrike. Ai është artist, shpirt i përkushtuar, trashëgimtar i një tradite mijëravjeçare, i cili krijon në atelie apo puntori artistike. Ta reduktosh atë në “fabrikant” është më shumë sesa injorancë, është fyerje.
Për Shaqir Fetain dhe të tjerët që përbuzin pa e kuptuar: fjala është përgjegjësi. Dhe kur fjalët janë të këtilla, ato zbulojnë jo rastësisht por qartë një mosrespektim të thellë ndaj vetë thelbit të fesë që përfaqësojnë dhe artit që e përçon atë.
Nëse ky është niveli i diskursit që udhëheq institucionet fetare sot, atëherë na mbetet vetëm të pyesim: kush po i përfaqëson vërtet vlerat: mjeshtrit e heshtur të kaligrafisë apo analfabetët funksionalë të retorikës boshe që hapësirën ku prodhohet arti e quajnë “fabrikë”? /LMR në BFI/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *