Nga Avni Halimi
Në mozaikun e artit skenik, shpeshherë, regjia dhe aktrimi ngatërrohen si burime identiteti për teatrin kombëtar. Shikuesi i shfaqjes, apo publiku, mund të tërhiqet nga interpretimi emocional i aktorit apo nga koncepti dhe estetika regjisoriale që risjell me mjeshtëri një tekst, qoftë ai origjinal apo klasik, ose edhe nga dramaturgjia botërore. Por në thelb, këto janë akte artistike individuale — që, ndonëse të rëndësishme për jetëgjatësinë dhe gjallërinë e skenës, nuk janë themeli mbi të cilin ndërtohet identiteti i një teatri kombëtar.
Ajo që krijon dhe artikulon identitetin e një teatri – dhe në tërësi të kulturën skenike të një kombi – është dramaturgjia origjinale, etnike, e rrënjosur në përvojën, historinë, dilemën, konfliktin dhe shpirtin e popullit që përfaqëson.
Dramaturgu i një kombi nuk është vetëm një shkrimtar skenash; ai është kronikani i papërshkruar, ai që artikulon të pathënat e përditshmërisë, të brendshmes së kolektives. Përmes dramës origjinale, kombi flet për veten. Përmes figurave, dialogjeve, heshtjeve, konflikteve të shkruara mbi letër, ndodh ajo që teatri ka privilegjin unik ta bëjë: kombi sheh veten nga jashtë, sheh atë katarsis autentik i cili i duhet më së shumti.
Ky proces vetëreflektimi dhe vetëartikulimi nuk mund të vijë nga regjia, sado inovative apo kreative të jetë ajo. Regjia është komentuesi, interpreti i një teksti, jo krijuesi i botës që ai tekst përshkruan. Në të njëjtën mënyrë, aktori është instrumenti që i jep jetë fjalës, por nuk është burimi i saj.
Një teatër që nuk prodhon, nuk mbështet dhe nuk kultivon dramaturgjinë e vet, është një teatër që humb gjuhën, rrënjët, kujtesën. Është një trup që mund të imitojë, por nuk mund të flasë me zërin e vet. Ai mund të tregojë histori të mëdha të botës, por nuk mund të tregojë historinë e vet. Dhe kjo është një zbrazëti identitare që as skenografia më moderne, as performanca më ekspresive nuk mund ta mbushë.
Kjo nuk është një kritikë ndaj teatrove tona të cilat kanë humbur kontaktin me dramaturgjinë origjinale – përkundrazi! Prezantimi i veprave të autorëve botërorë është tregues i pjekurisë profesionale të një trupe teatrale, dëshmi e kapacitetit për të hyrë në diskursin ndërkombëtar. Por pa një dramaturgji kombëtare që të jetë qendër e gravitetit, këto përpjekje mbeten imitime estetike pa një bosht ideologjik e kulturor.
Një teatër që synon të jetë kombëtar në esencë dhe jo vetëm në emër, duhet të investojë në krijimin e dramës origjinale – qoftë përmes konkurseve, rezidencave letrare, bashkëpunimeve me autorë të rinj, por edhe përmes rikthimit kritik të klasikëve vendorë. Pa këtë, teatri bëhet vetëm një skenë qiraxhi për tekstet e huaja, ndërsa kultura vendase mbetet jashtë dritave të projektorëve.
Në fund të ditës, çështja është esenciale: çfarë historie tregojmë, dhe kujt i përket ajo? Nëse nuk kemi përgjigje për këtë pyetje, nuk kemi identitet teatror – kemi vetëm prezencë estetike.
Identiteti i teatrit nuk ndërtohet mbi gjenialitetin e regjisorit apo virtuozitetin e aktorit, por mbi botën që përftohet përmes fjalës së dramaturgut. Dhe vetëm kur ajo fjalë buron nga përvoja kolektive, historia dhe dilemat e popullit tonë, teatri bëhet më shumë se një art – bëhet dëshmi e ekzistencës sonë. Aktualisht, teatrot tona po mundohen të dëshmojnë pjekurinë artistike për t’u marrur me problemet botërore. Problemet kombëtare po mundohen t’i gjejnë nëpër tekste klasike dhe të huaja të cilat po redaktohen dhe “trasformohen” deri në ato përmasa sa, duke i personalizuar, po bëhen “drama” bashkëkohore të “botës shqiptare”! Me këtë “kopili artistike” do ta dëshmojmë sot identitetin e teatrit tonë?!