A ka ndonjë plan strategjik BFI nën drejtimin e Fetait? A ka ndonjë dokument të miratuar me objektiva, me afate, me përgjegjësi, me plan pune vjetor, mujor, ditor? Absolutisht jo. Ka vetëm improvizim, vetëm show, vetëm dekor
Nga Mr. Eset Shaqiri, teolog
Në një akt të papritur, pa paralajmërim, pa transparencë institucionale dhe, mbi të gjitha, pa asnjë vizion afatgjatë, Shaqir Fetai del para kamerave dhe inauguron me bujë diçka që e quan “Qendra e Kuranit”. Me prerje shiriti, me duartrokitje të rreme dhe me disa syresh të mbledhur rreth tij që e ndjekin për inerci, ai na servon një tjetër spektakël cirku, i radhës, ku loja nuk ka të bëjë me Kuranin, por me një etje të sëmurë për publicitet të shpejtë, për protagonizëm personal dhe për një fotografi që do të qarkullojë në rrjetet sociale si “sukses fetar”.
Por çfarë është në të vërtetë kjo “Qendër e Kuranit”? Çfarë përfaqëson ajo? Çfarë funksioni do të ketë? Në çfarë baze u themelua? Në cilin dokument strategjik të BFI-së është e parashikuar kjo nismë? Cili këshill, cili komision, cili organ e propozoi dhe e miratoi? Cili është akti themelues dhe kush është personi juridik që e menaxhon? Asgjë nga këto nuk dihet. Asgjë nuk është publikuar. Asnjë transparencë. Asnjë dokument. Vetëm mjegull. Dhe kjo mjegull i shkon përshtat Shaqir Fetait, sepse ujku do mjegull, dhe, edhe ai nuk është larg kësaj metafore.
Nën pretekstin e promovimit të Kuranit, Fetai ka zbuluar një tjetër mënyrë për ta mbuluar boshësinë e plotë të strategjisë së tij fetare. A ka ndonjë plan strategjik BFI nën drejtimin e tij? A ka ndonjë dokument të miratuar me objektiva, me afate, me përgjegjësi, me plan pune vjetor, mujor, ditor? Absolutisht jo. Ka vetëm improvizim, vetëm show, vetëm dekor.
Kjo “Qendër e Kuranit” nuk është gjë tjetër veçse një akt propagandistik, një fotografi për t’u ndarë në Facebook e për ta bindur masën naive se “dikush po punon”. Por në fakt, asgjë nuk po ndërtohet, përveçse iluzioneve, gënjeshtrave dhe një rritjeje personale të kultit të Shaqir Fetait.
Themelimi i një institucioni të këtij lloji, nëse do të ishte serioz, kërkon një proces të qartë dhe të dokumentuar: një nismë të artikuluar, një debat institucional, një vendim nga organet kompetente, një statut, një program pune, një drejtori të caktuar, një kuadër ligjor dhe kushtetues që e mbron, dhe mbi të gjitha, një vizion që shkon përtej një shiritit të kuq të prerë për efekt kamerash. Asnjë nga këto nuk ekziston.
A ka ndonjë program statutar kjo “qendër”? Cilat janë objektivat afatgjata të saj? Si do të funksionojë, kush e financon, kush do të jetë përgjegjës për rezultatet? Këto janë pyetje që Shaqir Fetai as nuk i ka menduar. Sepse ai nuk mendon në plane, por në iluzione. Nuk mendon në objektiva, por në marketing. Nuk punon për komunitetin, por për hijen e vet.
Kjo qasje cirku, ku çdo muaj lind një “qendër”, një “delegacion”, një “inaugurim” tjetër i zbrazët, është mënyra e tij për të ruajtur pushtetin dhe për të fshehur krizën e thellë të legjitimitetit në të cilën ndodhet. Ai nuk qeveris. Ai improvizon. Ai nuk udhëheq. Ai luan rol. Ai nuk ndërton institucione, ai fabrikon fasada.
“Qendra e Kuranit” nuk është për Kuranin. Është për kamerat. Është për statuset që duan ta pikturojnë një lider të rremë si “vizionar fetar”. Është për të ushqyer një publik të lodhur nga propaganda me një tjetër premtim që nuk do të materializohet kurrë.
Në një kohë kur komuniteti mysliman ka nevojë për udhëzim të vërtetë, për dije, për një reformë serioze në edukimin fetar, për transparencë, për planifikim, për ndërtim të besueshmërisë, Shaqir Fetai ofron një qendër boshe, pa trup, pa shpirt, pa qëllim. Një qendër të ndërtuar mbi zero dokumente dhe shumë gënjeshtra.
Dhe kjo është jo vetëm e turpshme. Është e rrezikshme. Sepse kur boshllëku i maskuar si institucion fillon të sundojë hapësirën fetare, atëherë shoqëria rrezikon të ngecë në një batak të thellë injorance dhe manipulimi.
Prandaj, le të jemi të qartë: kjo nuk është “Qendra”. Është vetëm një tjetër stacion në turneun personal të egoizmit të Shaqir Fetait. Një tjetër fasadë për të fshehur boshësinë. Një tjetër mjegull për të humbur gjurmët e dështimit, në të cilin po e zhysin “bashkëpunëtorët” e tij që po mundohen ta zbythin dhe t’ia kapin poltronin. Edhe kjo “qendër” në fakt është një pus i thellë që në errësirën e vet ruan “perspektivën” e Shaqir Fetait. Shumë vonë do ta kuptojë cirkun ku shumë forty i pëlqen Fetait të argëtohet.