Miroslav Lajçak nuk do të jetë më i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sekretari i Përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së, Stefano Sanino, u ka dërguar vendeve anëtare listën me emrat e ambasadorëve dhe të dërguarve të posaçëm të Brukselit në rajonin e Ballkanit, ku rezulton se Lajçak është emëruar nga shefi i Politikës së Jashtme, Josep Borrell si ambasador në Zvicër.
Pavarësisht kësaj, në listën e publikuar nga Radio Europa e Lirë nuk bëhet e ditur se cili do jetë pasuesi i tij në pozitën e lehtësuesit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, megjithatë pritet që ai të përcaktohet në bashkëpunim me vendet e anëtare në javët në vazhdim.
Lëvizja e Lajçak vjen në një moment të vështirë sa i përket negociatave, teksa Kosova dhe Serbia janë në mosmarrëveshje të thella sa i përket dinarit serb.
Lajçak ka qenë shpesh herë një figurë e kontestuar nga udhëheqësit kosovarë, si një njeri i njëanshëm në tryezat e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Një tjetër lëvizje në trupën diplomatike të BE-së në Kosovë është edhe largimi i Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së në Prishtinë, Tomas Sonyongut.
Në vend të tij, Zyrën e BE-së në Kosovë do ta udhëheqë ambasadori aktual i Estonisë në BE, Aivo Ora.
Ndryshimet do të prekin edhe përfaqësinë e BE-së në Tiranë, ku Luigi Soreca nuk do të jetë më i Ngarkuar me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, pasi është emëruar shef i delegacionit të BE në Sarajevë.
Ndryshimet kanë prekur edhe disa përfaqësi të tjera diplomatike të BE-së në rajon.