Maqedonci: Kosova përmbyll `Sharkathon-in` e parë për dronë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka njoftuar për përmbylljen me sukses të Sharkathon-it të parë të organizuar, një ngjarje inovative kushtuar teknologjisë së dronëve dhe zgjidhjeve vendore në fushën e mbrojtjes.

Ngjarja u organizua nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me përkrahjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe u mbajt në ambientet e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren. Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetë zhvillues dhe ekipe të reja, të cilët prezantuan prototipet e tyre të dronëve, duke dëshmuar një potencial të jashtëzakonshëm në rritje në fushën e teknologjisë së avancuar.

“Bashkë me Drejtorin Ekzekutiv të Odës Amerikane, Arian Zeka, morëm pjesë në këtë ngjarje ku theksuam rëndësinë e nxitjes së inovacionit lokal dhe ndërtimit të partneriteteve strategjike në teknologjinë e mbrojtjes”, shkroi Maqedonci në një postim në Facebook.

Ai njoftoi se kjo është vetëm nisma e parë në një sërë aktivitetesh që do të zhvillohen në javët në vijim për të promovuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe investimet në këtë sektor strategjik.

Ministri gjithashtu ka shprehur mirënjohje ndaj pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Odës Amerikane dhe drejtuesve të Parkut të Inovacionit për angazhimin dhe mbështetjen në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *