Recension: Tradhtari si simptomë e shkatërrimit moral

(Reflektim mbi një ese të Mr. Eset Shaqirit, me titull “Reflektim mbi një qenie të pashpresë dhe moralisht të shkatërruar”, të publikuar këto ditë në portalin kombëtar TETOVA SOT)

Në një kohë kur hijet janë bërë më të forta se drita, kur maskat sillen si fytyra dhe besimi është kthyer në monedhë të lirë shkëmbimi, eseja e fundit e Mr. Eset Shaqirit, botuar në portalin “Tetova Sot”, ngrihet si një tekst i fortë ndërgjegjësimi moral dhe analizë karakteriale. Nuk është thjesht një reflektim filozofik mbi tradhtinë si fenomen njerëzor, është një akt i drejtpërdrejtë, dedikues dhe denoncues, që e çon mendimin eseistik në terrenin e konkretësisë morale dhe institucionale.
Në qendër të këtij reflektimi nuk qëndron vetëm një ide e përgjithshme. Mbi të gjitha, qëndron një figurë konkrete: Shaqir Fetai, një njeri që, siç e paraqet autori, përmes komplotit, intrigës dhe tradhtisë, është katapultuar në krye të Bashkësisë Fetare Islame në RMV, duke shkelur mbi çdo normë etike, shpirtërore e njerëzore. Përmes një analize të mbështetur në burime të urtësisë profetike, si dhe në referenca të thella filozofike e antropologjike, Eset Shaqiri e modelon këtë figurë si arketipin e njeriut që nuk ndërton, por rrënon, që nuk beson, por mashtron, që nuk fal, por gllabëron.
Përmes një fjalori të mprehtë dhe të matur, autori zbërthen anatominë morale të tradhtarit: ai nuk është rezultat i një gabimi të rastësishëm, por një formësim i hershëm karakteri, ku devijimi nuk është rrethanor, por pjesë përbërëse e qenies së tij. Tradhtari nuk është mëkatar që rrëshqet, por entitet i qëllimshëm që ushqehet me besimin e tjetrit për të uzurpuar pushtet. Pikërisht kjo është ajo që e bën këtë ese kaq të fuqishme: ajo nuk bën thjesht analizë, por i jep emër tradhtisë, dhe ky emër është Shaqir Fetai.
Në mënyrë mjeshtërore, Eset Shaqiri përdor figurën e tradhëtarit si ushujzë morale, që jeton vetëm duke u ngjitur mbi njerëz më të mëdhenj se ai, për t’u ushqyer me mundin, besimin dhe autoritetin e tyre. Në këtë metaforë shfaqet qartazi natyra uzurpuese e një individi që nuk ka as vlera fetare, as integritet institucional, por që përmes dredhisë ka arritur të vendoset në krye të një bashkësie të shenjtë, duke e kompromentuar vetë frymën e udhëheqjes shpirtërore.
Tradhtari, sipas Mr. Eset Shaqirit, nuk njeh falënderim, nuk e njeh besnikërinë dhe nuk ka asnjë ideal përveç kolltukut të vet. Kjo është tradhtia më e rrezikshme: ajo që fshihet pas buzëqeshjeve, titujve dhe hallkave formale, por që në thelb përfaqëson dëshirën e sëmurë për pushtet, të çliruar nga çdo kufizim moral. Në kontekstin e BFI-së, kjo tradhti nuk është thjesht personale, por është simptomë e një krize shumë më të thellë, ku institucionet fetare bëhen viktimë e planeve të errëta dhe ambicieve të neveritshme.
Eseja e Eset Shaqirit është gjithashtu një akt afirmimi i vlerave: e vërteta, besa, lojaliteti, falënderimi dhe ndershmëria ngrihen si kolona të një morali që duhet të jetë themel për çdo udhëheqje fetare, politike apo kulturore. Përballë tyre qëndron komplotisti, një figurë që e zë vendin pa të drejtë, që gënjen për të bindur, dhe që tradhton për të ngjitur shkallët.
Në këtë ese, tradhtari nuk është më një individ. Ai është një epidemi morale, një qenie që vjen me premtime, por sjell shkatërrim. Dhe autori nuk flet me thashetheme, as me insinuata. Ai akuzon qartë dhe me dinjitet intelektual, duke i kujtuar opinionit se respekti për një njeri që ka ngrënë dorën që e ka ushqyer, nuk është vetëm naivitet, është krim ndaj vetes dhe bashkësisë.
Ky tekst është një akt i guximit qytetar dhe shpirtëror. Ai duhet lexuar me vëmendje jo vetëm nga teologët, por edhe nga çdo njeri që kujdeset për shëndetin moral të institucioneve tona. Sepse, siç thotë me të drejtë Mr. Eset Shaqiri, “tradhëtari nuk bëhet, ai lind dhe ashtu vdes”. Dhe në këtë mesazh qëndron zemra e kësaj eseje: duhet ta njohim tradhtarin kur e shohim dhe t’i mbyllim derën përpara se të rrënojë çdo gjë që na mban të bashkuar, sidomos në kohë fushatash zgjedhore atëherë kur tradhëtari mundohet të shpërfaqet me fytyrë “engjëlli”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *