Pazare të pista mbi shpirtin e një institucioni

(Në inboxin e faqes sonë, na vjen kjo letër shqetësuese nga një akademik-ligjerues pranë Universitetit “Nëna Terezë”. Emri i profesorit është i njohur për stafin tonë!)

Në korridoret e errëta të ambicieve të sëmura dhe nëpër tavolinat e fshehta ku qarkullojnë më shumë para sesa ide, po përgatitet një skenar i turpshëm që do të duhej të alarmonte çdo mendje të kthjellët që kujdeset për integritetin arsimor dhe institucional në vend. Fjala është për përpjekjen e dëshpëruar të të vetëquajturit “reis”, Shaqir Fetai, për të transferuar Fakultetin e Shkencave Islame nga vendndodhja e tij historike në Kondovë, në oborrin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Jo vetëm transferim fizik, por një inkorporim të plotë në strukturën e këtij institucioni publik të arsimit të lartë.
Ky plan grotesk, i mbështetur në marrëveshje të fshehta, në përfolje për pagesa deri në 400 mijë euro, përbën jo vetëm një përpjekje brutale për deformimin e rendit ligjor në arsim, por edhe një atentat të pashembullt ndaj pavarësisë institucionale të një universiteti publik. Kush i ofron këto para? Kush i merr ato? Në çfarë buxheti figurojnë? Cili është justifikimi moral, financiar dhe ligjor i këtyre transaksioneve që kundërmojnë rëndë në korrupsion institucional dhe ndërhyrje të jashtme? Pyetje që nuk mund të lihen pa përgjigje, sepse nuk bëhet fjalë për një institucion privat periferik, por për një universitet publik që duhet të jetë i imunizuar nga pazaret klerikale dhe agjendat ideologjike të cilitdo komunitet.
Edhe më skandaloze është përbuzja e hapur që rrethi i Shaqir Fetait shfaq ndaj Senatit të Universitetit “Nënë Tereza”. Të quash “ateistë” ata që nuk janë të gatshëm të nënshkruajnë kapjen e universitetit nga një strukturë fetare që funksionon jashtë çdo standardi akademik, është një sjellje primitive, përçarëse dhe thellësisht antidemokratike. Është e qartë se kur nuk bind dot me argument, inskenohet ofendimi. Kur nuk e thyen dot me ligj, tenton ta korruptosh me para. Kjo është etika e një rrethi që nuk njeh normë tjetër përveç interesit të vet dhe egos së vet për dominim absolut.
A është e mundur që një institucion fetar të integrohet brenda një universiteti laik, pa ndryshime të thella kushtetuese dhe pa amendamente të Ligjit për Arsimin e Lartë? Jo. Çdo jurist e di këtë. Çdo ligjvënës e di këtë. Çdo rektor dhe akademik me integritet e kupton këtë. Fakulteti i Shkencave Islame nuk është themeluar për t’u transferuar sipas tekave të një individi që e sheh institucionin si pronë të trashëguar dhe që kërkon ta këmbejë legjitimitetin fetar me akses në institucione shtetërore për të rritur kontrollin politik dhe financiar.
Çfarë lloj njeriu është i gatshëm të braktisë vendin ku u hodhën themelet e një institucioni të rëndësishëm për komunitetin mysliman? Kush është ai që nuk e sheh se godina në Kondovë ka nevojë jo për arratisje, por për investime serioze: dyer e dritare që mbrojnë nga acari, sisteme ngrohjeje që ruajnë shëndetin e studentëve, tualete që reflektojnë dinjitetin njerëzor, mbrojtje nga zjarret që tashmë janë bërë rrezik i përditshëm, dhe mbi të gjitha, një oborr që të mos jetë arenë për qentë, macet dhe lopët, por një ambient i denjë për akademikë dhe studiues të së nesërmes.
Në vend që të mobilizohen për ta modernizuar FSHI-në, në vend që të kërkojnë ndihmë publike dhe transparente për përmirësimin e kushteve, njerëz si Shaqir Fetai kërkojnë rrugë të shkurtra. Tentojnë pazare. Manipulojnë me vlerat e universitetit publik. Llogarisin se mund ta blejnë ndershmërinë institucionale me euro që nuk dihet nga burojnë. Llogarisin keq.
Sepse, në këtë rast nuk është fjala për një lëvizje teknike. Është fjala për një operacion të pistë për kapjen e arsimit nga elementë që nuk njohin ligj, standard akademik apo ndarje të pushteteve. Është fjala për një rrezik që mund të infektojë sistemin universitar me ndasi fetare, me përçarje ideologjike dhe me dualizëm mes ligjit dhe dogmës.
Universiteti “Nënë Tereza” është krijuar mbi idenë e kohezionit, integritetit dhe përfshirjes pa diskriminim. Pranimi i një fakulteti fetar në gjirin e tij, përmes dyerve të errëta të pazareve dhe ofertave të komprometuara, do të ishte jo vetëm njollosje, por edhe vetëvrasje akademike.
Nuk është në pyetje vetëm çështja e një ndërtese. Është në pyetje shpirti i Fakultetit, autonomia e arsimit. Është në pyetje rezistenca ndaj ndikimeve të huaja që duan të instrumentalizojnë institucionet tona për qëllime që nuk kanë asgjë të përbashkët me arsimimin, përparimin apo interesin publik.
Është koha që Senati i Universitetit “Nënë Tereza” të flasë qartë dhe prerë. Është koha që subjekti politik shqiptar dhe, sidomos Ministria e Arsimit, të distancohen publikisht nga këto manovra të rrezikshme. Është koha që media dhe shoqëria civile të mos lejojnë që një universitet publik të shndërrohet në lavatriçen e planeve të pista të Shaqir Fetait dhe mentorëve të tij të padukshëm. Sepse heshtja përballë këtyre tentativave nuk është neutralitet. Është bashkëfajësi. Dhe historia nuk i fal ata që në emër të kompromisit, lejuan që të shkelen vlerat mbi të cilat ndërtohet çdo shoqëri e qytetëruar.
https://levizjamyslimane.blogspot.com/2025/07/pazare-te-pista-mbi-shpirtin-e-nje.html

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *