Britania dhe aleatë të tjerë do të sanksionojnë dy ministra izraelitë të ekstremit të djathtë

Siç raportojnë mediat britanike, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich – pas sjelljes së tyre gjatë luftës në Gaza.

Londra do t’i bashkohet Kanadasë, Australisë, Zelandës së Re dhe vendeve të tjera në ngrirjen e aseteve dhe vendosjen e ndalimeve të udhëtimit për ministrin e sigurisë kombëtare të Izraelit, Ben-Gvir dhe ministrin e financave, Smotrich.

Britania, ashtu si vendet e tjera evropiane, ka rritur presionin mbi qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për t’i dhënë fund bllokadës së ndihmës në Gaza, ku ekspertët ndërkombëtarë kanë paralajmëruar se uria është e afërt.

Londra muajin e kaluar pezulloi bisedimet e tregtisë së lirë me Izraelin për ndjekjen e “politikave të ashpra” në Bregun Perëndimor dhe Gazën e pushtuar.

Ajo gjithashtu “ftoi” ambasadorin e saj dhe njoftoi sanksione të mëtejshme kundër kolonëve të Bregut Perëndimor.

Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy, i cili e quajti ofensivën e fundit të Izraelit “një fazë të re të errët në këtë konflikt”, më parë i ka dënuar komentet e Smotrich mbi “pastrimin dhe shkatërrimin e mundshëm të Gazës dhe zhvendosjen e banorëve të saj në vende të treta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *