Midis nesh/ INJORANCA SI KOD IDENTIFIKIMI

Subjektet politike shqiptare (në të gjitha hapësirat tjera shqiptare) i “fusin gishtat” edhe aty ku nuk e kanë vendin. Dëmi i veprimeve absurde që moti është ambientuar dhe tashmë bashkëjeton me ne në paqe normale.
Te qenët i politizuar në përmasa fatale, ka bërë që të shtohet jo vetëm verbëria e zhvendosja e vlerave, por edhe përzierja e profesioneve, sa që sot nuk dihet se kush çka është. Krejt kjo ka nxjerrë në pah injorantët, të cilët udhëhiqen nga hiper-guximi, me qëllim që si e si të shijojnë ndonjë thërrime nga pushteti i kontrolluar.
Kështu, sot, traktoristit me hiper-guximin e tij nuk i lëviz as qerpiku nëse partia e tij kërkon që ai të ulet në kabinën e pilotit. Po kështu as berberi nuk do të përtonte fare të ulet në karrigen e shqyrtimit të projekteve të kulturës shqiptare.
Nëse injorantët vendosin për kulturën shqiptare, atëherë natyrisht se injoranca do të na bëhet kod identifikimi. Bie fjala, në Maqedoninë së Veriut për librin shqip vendosin ata që nuk kanë lexuar asnjë libër, vendosin për dramat ata që as që e dinë se ku është teatri shqiptar, aq më tepër kur dihet fakti se ministritë i kanë mbushur me njerëz të gabueshëm, të cilët të vetmen meritë kanë dëgjueshmërinë partiake.
Edhe ato institucione të pakta kulturore që veprojnë janë shndërruar në qendra politike, qendra propagande, qendra për shërimin e frustrimeve. Në këto institucione gjithçka bëhet, por vetëm kulturë nuk bëhet. Kjo dëgjueshmëri në fushën e kulturës tashmë i ngjan perversitetit, sepse dëgjueshmëria dhe përfitimi i ndonjë ashti, manifestohet edhe me ulje të brekëve. Edhe kështu disa injorantë e shesin shpirtin e tyre, duke menduar se bota nuk sillet.
Të tillët vazhdojnë të bëjnë ahengje, të vetëkënaqen, të notojnë bashkë me kungullin nën sqetull. Askush me asgjë nuk i pengon, sepse shoqëria shqiptare ka humbur dëshirën për të pasur një kulturë të mirëfilltë shqiptare, për të pasur një ind të shëndoshë kombëtar, por edhe një identitet të qartë.
Fatkeqësisht, lajtmotiv i kësaj shoqëria është bërë heshtja dhe pritja se do të bie diçka nga qielli për të na i ndryshuar punët. Dhe, kur traktoristë do ta marrë timonin e pilotit, atëherë një është e sigurt: përplasja e garantuar në theqafje…
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *