Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas lajmit të tmerrshëm për vrasjen e një gruaje në Pejë.
Osmani ka thënë se fatkeqësisht sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj.
“Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht dhe mënyra e vetme për ta ndalur atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet e si komb. Rizgjohemi të gjithë në këmbë kundër këtij fenomeni, sepse nuk kemi jetë vajzash e grash për të humbur”, ka thënë shefja e shtetit.
Presidentja ju ka bërë thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë dhe të drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë, që të bashkohen kundër dhunës mbi bazë gjinore.
“E kemi detyrë gjithsecili prej nesh, që ta luftojmë këtë fenomen dhe t’i mbrojmë vajzat e gratë, dhe t’i mbrojmë gjithë qytetarët e shtetit tonë”, ka theksuar presidentja Osmani.