Kandidati për president në Maqedoninë e Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se deri tani atje raundi i dytë i procesit të zgjedhjeve është duke shkuar në rregull.
Para mediave ku ishte i pranishëm edhe njëri prej ekipeve të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se beson se njëri prej kandidatëve do të arrijë shifrën prej 40 për qind sa është për të kaluar pragun zgjedhor.
“Deri tani dita e zgjedhjeve ka qenë transparente dhe e qetë. Unë supozojë se ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë deri në fund të ditës së zgjedhjeve, kjo nënkupton deri në ora 19:00. Nuk ka ndonjë arsye tjetër për të besuar se do të ketë çrregullime sepse për tri dekada e gjysmë ne pothuajse jemi në demokraci. Dhe pa dyshim se ne kemi mësuar disa leksione të demokracisë ndërkohë. Nëse jeni duke më pyetur mua rreth pjesëmarrjes eventuale prej 40 për qind, mendoj se do të arrijmë atë 40 për qindësh të pragut dhe do të kemi fituesin e besueshëm në fund të ditës”.
“Ajo që nuk është shumë e mirë për nivelin, për cilësinë e demokracisë në vendin tim është se ne po dëgjojmë që disa nga forcat politike, disa parti politike po përpiqen të pengojnë procesin zgjedhor thjesht duke i penguar njerëzit të marrin pjesë në votimin e raundit të dytë. Nëse është kështu, nëse kjo konfirmohet në fund të ditës, kjo do të thotë se vullneti i lirë i njerëzve është shtypur”, ka thënë Pendarovski.
Ai ka pohuar se çka nuk i pëlqen dhe nuk e sheh si gjë demokratike deri tani në këtë ditë të zgjedhjeve është që ka informacione se disa parti politike shqiptare janë duke u munduar për t’i ndaluar shqiptarët atje të votojnë.
“Jo vetëm unë por ne e kemi atë lloj të informacioneve, por deri në fund të ditës deri sa organet relevante nuk e konfirmojnë unë atë nuk mund ta them”.
I pyetur edhe nga gazetarët se njëra prej arsyeve të bojkotimit të mundshëm të shqiptarëve të procesit zgjedhor mund të jetë pasi nuk kanë kandidat për president, ai tha se nuk e beson këtë dhe se kjo gjë nuk duhet të jetë.
“Nëse këto janë arsye unë i kundërshtoj fuqishëm”, tha Pendarovski.