“INTELEKTUALËT E GUXIMSHËM”

Shkruan Avni Halimi

Urtia e të çmendurve! Janë të njohur fenomene të tillë, madje edhe të përmbledhura nëpër shënime të ndryshme! Gjenialiteti i debilëve! Popujt e civilizuar ua pranojnë “urtinë”, “gjenialitetin”, por debilët nuk i radhisin në mesin e intelektualëve, në mesin e të diturve. Gjenialitetin dhe budallallëkun e ndanë një cipë e hollë sa e qepës!
Ekziston edhe një kategori e intelektualëve që budallallëkun e shesin për “guxim intelektual”! Të tillët, në fakt, janë intelektualë dhe intelektuale pa vlera morale, intelektualë që sjelljet imorale, por edhe ato amorale, i shesin për vlera të njerëzillëkut që janë karakteristikë e “intelektualëve të guximshëm”. Sipas tyre, jo të gjithë intelektualët guxojnë të sillen përtej kodeksit të njerëzisë, siç sillen ata ose ato, sepse janë të bindur se budallallëku i tyre mund të shitet si “guxim” vetëm duke u sjellë si debil, aftësi kjo që nuk haset te të gjithë intelektualët, por vetëm te ata që e parapëlqejnë jetën e shthurur!
Ky lloj intelektuali jo që është pa mend, jo që nuk ka aftësinë e “djallit”, jo që nuk di të shitet e të imponohet, ndaj dhe merr edhe guximin që ta sprovojë veten në sa më shumë veprimtari intelektuale, në sa më shumë fusha krijuese, pavarësisht se në të gjitha dështon, del palaço. Ia del që ta krijojë edhe imazhin e vet si ”atraksion kombëtar”! Me këtë “etiketë” i ngjitet pushteteve, ndërsa pushtetet ia shfrytëzojnë “guximin intelektual” për ta denigruar pa fije turpi kundërshtarin.
Intelektuali pa vlera morale, i ndodhur në një prezantim, në një debat, në një kuvend, në mungesë të vlerave intelektuale, do të flasë për guximin e tij për t’iu qasur sprovave (aventurave) të ndryshme nga të cilat del me “tema unikale”, që nuk i ke te shtresa intelektuale e rregullt. Ose, nëse ftohet për ta deklaruar ndonjë “margaritar” të veten, thjesht, të përgjigjet: “nuk flas me ju, sepse nuk ju kam qejf”!
Në fakt, “budallai” e di dhe e kupton fare mirë seriozitetin e medias që e thërret duke i dhënë hapësirë shprrallimi; intelektuali debil e refuzon debatin e sinqertë, profesional, refuzon të kapet për tema që trajtojnë probleme dhe fenomene kombëtare; ky lloj intelektuali parapëlqen vetëm atë komunikim që do ta nxjerrin intelektual të veçantë, të guximshëm dhe të madh në vogëlsirat e veta, të urtë në budallallëqet e veta, të vlefshëm ndonëse pa kurrfarë vlerash morale!
Intelektuali pa vlera morale ka qejf që atraktivitetin e vet ta shpalos përmes rrëfimeve mbi të kaluarën e tij në dashuri, mbi dëshirat e tij për t’u shfaqur lakuriq, sepse të tillë populli nuk do ta lë të mërdhijë por do ta marrë në gjirin e vet; më me ëndje do të fliste për krijimet e veta që i ka krijuar pas eksperiencave në dashuri, në aventurë, në tradhti, në dështim e në dëshpërim.
Ka plot intelektualë të këtij lloji nëpër botë, por që bota atyre u jep hapësirë në mediat rozë dhe në shtypin e verdhë. Te ne, fatkeqësisht, shtyhen si vlerë kombëtare, madje edhe më keq, mund të gjenden me kontrata të volitshme edhe nëpër universitete private që në shoqërinë tonë po mbijnë si kërpudhat pas shiut! Këta intelektualë pa vlera morale do të edukojnë gjenerata të tërë, do të bëhen model i “guximit intelektual”! Boll keq! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *