Pelegrinazhi poetik

FISI I POETËVE

Si në asnjë vend tjetër në Evropën Juglindore, në Kosovë gëlojnë aktivitetet kulturore qofshin ato kombëtare apo edhe ndërkombëtare. Shqiptarët e Kosovës dinë të bëjnë kulturë, dinë të organizojnë kulturë, me aq sa kanë mundësi! Një vend i vogël si Kosova, vetëm falë dashurisë për kulturë, falë madhërimit të atij “revolucioni kulturor” që zgjatë që nga Rilindja e këndej, vetëm falë vullnetit të hyjnishëm për ta përmbysur propagandën raciste se “shqiptarët janë popull akulturor”, ia kanë dalë që të ketë një manifestim botëror si “Dokufesti”! Në shtetin më të ri, në Kosovë, aktivitetet kulturore janë kult, ndaj teatri kosovar respektohet gjithandej në botë, filmi kosovar nderohet gjithandej nëpër festival botërore të filmit, krijuesit kosovar admirohen me shpirt. Në Kosovë, fenomen më vete janë aktivitetet, klubet dhe manifestimet letrare. Vetëm në Kosovë ndjehen përpjekjet e mbinatyrshme për ta mbajtur gjallë Fisin e Poetëve!
Dhe ku më fuqishëm se në Ferizaj, në qytetin e Klubit Letrar “De Rada”, që mbanë emrin e babait të këtij fisi poetësh kombëtar. Ky Klub tashmë ka edhe Panteonin e vet, JEZERCIN, ku nëse nuk shihen apo nuk preken, të paktën, ndjehen muzat e poezisë!
MUZAT E JEZERCIT, është manifestimi letrar që plotësisht e meriton këtë emërtim. Tre ditë me radhë, sa zgjatë manifestimi, aty ndjehet poezia, aty poeti ndjehet muzë, ndaj aty nuk ka demagogji, nuk ka patetikë, nuk ka snobizëm, aty ka modesti të përkorë, ka respekt, aty ka nderim, aty ka njerzillëk, aty ka përulje para gjuhës së krijuesit, aty të gjithë pjesëmarrësit janë të një gjaku, të një fisi, ndaj aty ndjehet dashuria familjare ndaj njëri-tjetrit. Aty të gjithë familjarizohen, të gjithë frymojnë dhe gjallërojnë për të dëshmuar se poetët kanë fisin e vet!
Aktivitetet kulturore në Kosovë bëjnë punë më shumë se politika. Manifestimet letrare sjellin krijues nga katër anët e viseve tona etnike, por dhe nga katër anët e botës dhe, në të kthyer, secili merr me vete nga pak Kosovë, me tërë trashëgiminë, kulturën, traditën e begatë që është aty. Secili kthehet në shtëpi të vet me mbresa të paharrueshme nga Kosova, duke marrë me vete edhe modele autoktone organizimi kulturor.
Së këndejmi, Ministria për Kulturë, drejtoritë përkatëse të pushteti vendor, subjektet e ndryshme afariste, që të gjithë duhet të kenë strategjinë e përbashkët nacionale se si t’i mbajnë gjallë dhe t’i avancojnë lartë e më lartë manifestimet e tilla. Buxhetet nuk guxojnë të jenë tallës me dinjitetin e këtyre manifestimeve. Politikat buxhetore, si të pushtetit qendror ashtu edhe të atij lokal, duhet të jenë në gjendje për ta përcjellë ambicien, synimin dhe politikat nacionale të të gjitha këtyre manifestimeve kulturore që tashmë janë shndërruar në etiketa kulturore me përmbajtje mbi lashtësinë etnike dhe mbi shtetësinë bashkëkohore të Kosovës, që prioritet ka edhe identitetin kulturor kombëtar.
Këta pushtete le të zbresin në Jezerc dhe le të binden se tashmë ky vend ka marrë shenjtërinë e Muzave Poetike të frymëzuar nga “De Rada”, le të binden se Jezerci po shndërrohet në një vend pelegrinazhi poetik që e do vëmendjen e gjithsecilit që i ka thënë vetes shqiptar!
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *