Aleanca Veriatlantike është duke ndërtuar në mënyrë sekrete “korridore tokësore”, në rast të një luftë me Rusinë.
Gazeta The Telegraph, shkruan se ushtarët amerikanë do të zbarkojnë në një nga pesë portet mes tyre edhe portet e Ballkanit, dhe do të kanalizohen përgjatë rrugëve logjistike të planifikuara paraprakisht për t’u përballur me një sulm të mundshëm nga Moska.
Sipas zyrtarëve të lartë të ushtrisë norvegjeze kjo luftë mund të ndodh brenda dy viteve të ardhshme.
Rrugët logjistike janë bërë një prioritet kyç, që kur udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të përgatisin 300 mijë trupa që do të mbahen në një gjendje gatishmërie të lartë për të mbrojtur aleancën.
Ky dakordim ndodhi gjatë një samiti në Vilnius të Lituanisë, vitin e kaluar.
Tutje kjo gazetë në artikullin e publikuar thekson se në rast lufte trupat amerikane do të zbarkojnë në portet holandeze përpara se të hipin në trenat që i transportojnë ato përmes Gjermanisë dhe në vazhdim në Poloni.
Në rast të një pushtimi rus të NATO-s, trupat amerikane do të dërgoheshin në portin e Rotterdamit përpara se të transferoheshin drejt lindjes.
Nëse forcat e NATO-s që hyjnë nga Holanda goditen nga bombardimet ruse, ose shkatërrohen portet e Evropës veriore, aleanca do të zhvendosë fokusin në portet në Itali, Greqi dhe Turqi, shkruan The Telegraph.
Nga portet italiane, ushtarakët e ShBA-së mund të zhvendoseshin përmes tokës përmes Sllovenisë, Kroacisë në Hungari, e cila ndan një kufi me Ukrainën.
Plane të ngjashme ekzistojnë për të lëvizur forcat ushtarake nga portet turke dhe greke përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, për të arritur në krahun lindor të aleancës.
Lidhur me këtë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, kishte deklaruar se përdorimi i armëve perëndimore për të goditur brenda Rusisë ishte një vendim jetik që do të ndikonte në aviacionin taktik të Moskës dhe aftësinë e saj për të operuar në zonat kufitare.