Kurti në Stamboll takon afaristë shqiptarë që veprojnë në Turqi

Gjatë qëndrimit në Stamboll, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar afaristë shqiptarë e me prejardhje shqiptare nga sektorë të ndryshëm që veprojnë në Turqi.

Zyra e Kryeministrit ka thënë se teksa Kurti shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës  në Turqi, ai u bëri thirrje përfaqësuesve dhe pronarëve të bizneseve që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë.

“Në një darkë të përbashkët, ai i njoftoi me progresin që Kosova ka shënuar në rrafshin ekonomik në tri vitet e fundit, duke theksuar rritjen për dyfish të investimeve të huaja dhe eksporteve, por edhe rritjen e të hyrave tatimore për 2/3, pa ndërruar politikën fiskale, por si rezultat i rritjes së besimit në institucione”.

“Kryeministri gjithashtu veçoi mjedisin e favorshëm për investime në Kosovë, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating. Ai këtë thirrje e bëri duke u ofruar mbështetjen e Qeverisë bashkë me infrastrukturën ligjore dhe mekanizmat shtetërorë në mënyrë që investimi të jetë i sigurt dhe fitimprurës”.

“Kryeministri i falënderoi të gjithë të pranishmit për mikpritjen e ngrohtë dhe për angazhimin e rolin e tyre të rëndësishëm në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, përveçse kontributin e vazhdueshëm për vendlindje si mërgatë”, thuhet tutje në komunikatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *