Kur VLEN përkthehet si vlen

Në fokus

Akronimi është fjalë që përbehet nga pjesë apo shkronja fillestare të një emërtimi të plotë, qoftë nga ai origjinal ose i përkthyer. Si për shembull, NATO (North Atlantic Treaty Organization) apo OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara, UN-United Nations Organization), OSBE, UNESCO etj.
Por, sikur ta përkthente ndonjë media serioze akronimin NATO me fjalën shqip “nata”, apo maqedonisht “noq”?! Do të dilnim tepër qesharak. Në këtë rast, mbi të gjitha, do të duhej të reagonte (madje me ndëshkim) Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, agjenci kjo me emrin më qesharak, më ofendues dhe të denjë për t’u përfshirë vetëm në fjalorin e aparthejdit!
Kjo Agjenci ofenduese do të duhej të ishte më profesionale dhe të reagonte edhe kundër tendencave të mediave maqedonase për ta përkthyer akronimin VLEN, emërtimin e partive të bashkuara opozitare shqiptare! Mediat maqedonase vazhdimisht po flasin për një emërtim që e kanë përkthyer me ndihmën e google translate në “VREDI”, fjalë që në vetën e tretë ka kuptimin “shërben për diçka”, apo “i bën mirë dikujt”, ose kuptimin e fjalës “i duhet”, ose “kushton” etj.
VLEN është akronimi i emërtimit politik Lëvizja Evropiane për Ndryshim, të cilit i bashkëngjitet në krye shkronja e parë e partisë përkrahëse Vetëvendosja! Në shqip mund të jetë edhe si sinonim i fjalës “shërben për diçka”, të cilën mediat maqedonase e kanë përkthyer me “vredi”!
Mediat shqiptare pothuajse asnjëherë nuk e kanë përkthyer akronimin VMRO-DPMNE, MAAK, DOM, GROM, etj. ndërsa të gjitha akronimet që shënojnë emërtimin e partive politike shqiptare mediat maqedonase i nënvizojnë maqedonisht, të përkthyera: DUI, DPA etj.
Pa dyshim, mediat maqedonase e kanë provuar përmes google dhe e kanë vërejtur se fjala VLEN qenka fjalë shqipe dhe se mund të përkthehet maqedonisht, ndaj derisa mund të përkthehet pse të përdoret në mediat maqedonase një fjalë shqipe! Dhe e përkthejnë si “VREDI”! Pra, duke qenë shumë të kujdesshëm që mediat maqedonase mos të theksojnë fjalë shqipe, shkojnë dhe e përkthejnë VLEN-in, duke dalë qesharak! Pa dyshim, nga kjo situatë do të donin të dilnin që të gjitha, vetëm sikur vetë VLEN-i apo, sidomos, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që e Flasin së Paku 20% e Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të reagonte dhe t’i informonte të gjitha mediat se akronimi VLEN nuk e ka kuptimin e fjalës me të cilën maqedonisht emërtohet opozita e bashkuar e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Gabime të tilla nuk do të ndodhnin sikur të kishte Ligj për gjuhën shqipe, me të cilin do të rregullohej edhe licencimi i lektorëve të gjuhës shqipe, të cilët do të duhej të punësoheshin në çdo redaksi. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *