Wolverhampton Wanderers duhet të harrojnë përfundimin zhgënjyes të sezonit 2023/2024 në Ligën Premier dhe të mendojnë për përforcime të reja gjatë afatit kalimtar veror.
Në rast se trajneri Gary O’Neil arrin të marrë fonde nga shitja e disa lojtarëve duke bërë në të njëjtën kohë disa blerje të mençura, ata mund të sigurojnë të paktën një vend në gjashtë pozitat e para sezonin e ardhshëm.
Sipas gazetarit Alan Nixo, Wolves është një ndër klubet më të interesuara për shërbimet e yllit kosovar Aro Muric, para afatit kalimtar veror.
Muric do t’i kushtonte Wolvesit 10 milionë euro në rast se vendosin të bëjnë një ofertë konkrete për ish-portierin e Manchester Cityt.
Portieri kryesor i Wolves, Jose Sa, është lidhur me një kalim në Arabinë Saudite dhe në rast se portugezi 32-vjeçar kompleton transferimin në Lindjen e Mesme, atëherë Muric do të konsiderohej si zëvendësuesi i tij.
Këtë sezon Muric ka bërë dhjetë paraqitje në Ligën Premier, pasi jo shumë kohë më parë i zuri vendin startues portierit anglez James Trafford.
Muric ka shkëlqyer gjatë këtij edicioni dhe udhëheq tabelën në aspektin e përqindjes së pritjeve që ka bërë, duke pësuar pesë gola nga 26 goditje sa i ka marrë gjithsej, një sukses që nëse përkthehet në përqindje i bie që Muric ka pritur 83.9 për qind të goditjeve në drejtim të tij.