Agjencia amerikane për sigurinë kibernetike dhe të infrastrukturës, (CISA), ka njoftuar se disa hakerë të mbështetur nga qeveria ruse shfrytëzuan qasjen e tyre tek sistemi i emaileve të programit Microsoft për të vjedhur letërkëmbimet midis zyrtarëve dhe gjigandit të teknologjisë.
Ky njoftim, u bë përmes një direktive emergjente që u bë publike të enjten.
Më 2 prill, kjo agjenci kishte paralajmëruar se hakerët po shfrytëzonin detajet e njëjtësimit që ndahen me email në përpjekje për të penetruar në sistemet e klientëve të Microsoftit, përfshirë një numër të paspecifikuar agjencish qeveritare.
Por, CISA nuk ka treguar se cilat agjenci qeveritare të ShBA-së janë prekur.
Po ashtu, gjigandi Microsoft nuk dha ndonjë përgjigje lidhur me rastin, raportojnë mediat ndërkombëtare.