Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova qëndron kampione e agjendës për gratë dhe paqen.
Në hapje të Forumit Ndërkombëtar për Gratë Paqen dhe Sigurinë, Osmani tha angazhimi për gratë është bërë mision i jetës.
Ajo shtoi se për këtë ndjen inspirim të thellë nga gratë në Kosovë.
“Të angazhohemi për atë, s’është vetëm punë e një forumi e as e një misioni a një mandati, por bëhet mision i jetës. Jemi bërë bashkë për dhunën që flitet për konfliktet, gratë e vajzat preken më së shumti. Ndërsa jemi bërë bashkë për t’i diskutuar këto çështje, ndjej inspirim të thellë nga gratë e Kosovës… Kosova qëndron si kampione dhe flamurtare kësaj agjende, pasi përfshirja dhe përfaqësimi qëndrojnë si gur themeltare i të gjitha përpjekjeve që kemi ndërmarrë nga dita e parë. Këtu desha të shpreh mirënjohjen time për të gjithë partnerët tanë dhe institucionet që kanë punuar me ne. Ky forum është forumi juaj dhe është e arritura jonë e përbashkët”, tha ajo.
Sipas saj, gratë në Kosovë kanë mbijetuar në kohët më të dhimbshme.
Andaj kërkoi zotim ku gratë luajnë rol integral në parandalimin e konflikteve dhe ndërtimin e shoqërive stabile.
“Në këtë forum le të zotohemi ndaj punës së vështirë por të domosdoshme që mbetet, punës së paqes. Një paqe ku gratë luajnë rol integral jo vetëm në parandalimin e konfliktit por edhe duke i dal në krye përpjekjeve për të ndërtuar shoqëri stabile dhe të qëndrueshme të frymëzuar nga trashëgimia e atyre grave që kanë ardh para nesh”, theksoi ajo.