Në fokus / MUNGESA E JETËS KULTURORE

Në Tetovën shqiptare na qenkan dy universitete: Universiteti i Tetovës dhe ai i UEJL-it! Sipas traditës, aty ku ka studentë, jeta e atij vendi është më dinamike, shoqëria është më e organizuar dhe na del të jetë më aktive! Megjithatë, sipas një ankete nga disa qendra e media shqiptare të vendit, Tetova për studentët qenka “e vdekur”, tepër monotone, ku nuk shtyhet as dita dhe as koha e lirë! Në Tetovë edhe lumturia rinore qenka me gjemba! Kjo do të thotë se edhe dëshira për të studiuar është më e vogël, për rrjedhojë edhe sukseset janë të paktë. Studentët kohën e lirë, më së shumti po e kaluakan nëpër kafiter.
Edhe Shkupi është qendër e dy universiteteve shqiptare, si dhe e universiteteve të tjerë ku studiojnë qindra studentë shqiptarë. Numri i studentëve shqiptarë është pothuajse sa ai i Tetovës. Për dallim nga ata të Tetovës, studentët e Shkupit kanë mundësi më të mëdha për ta kaluar kohën e lirë sa më kulturalisht! Kanë bibliotekë universitare, kanë teatro, kanë operë, filarmoni, galeri, por, edhe këta kohën e lirë e kalojnë kryesisht kafe-çajtoreve!
Çka flet kjo dukuri! Mungesa e platformës kombëtare për kulturë, mungesa e kreativitetit te subjektet politike, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional komunë-universitete, komunë-universitete-shoqata kulturore, mospërfshirja e intelektualëve të mirëfilltë në jetën shoqërore, shkaktojnë efekte kaq të rënda për perspektivën e shëndoshë të një shoqërie!
Në Tetovë kemi madje edhe Fakultetin e arteve, kemi kuadër që dinë çka është arti, letërsia, kultura, që e kuptojnë dhe që dinë të bëjnë art. Në Tetovë akoma nuk është formuar një Teatër studentor, i cili do të ishte një katapult apo trampolinë e kuadrit për teatrot tona profesionale! Në kuadër të këtij Teatrit dhe dege fakulteti, pse të mos ekzistonte edhe një festival kombëtar e ndërkombëtar i teatrove studentore. Modelet nuk mungojnë, mungon vullneti dhe profesionalizmi institucional! Në Tetovë funksionojnë nja dhjetëra shtëpi botuese shumë të suksesshme, që në vit ia dalin të botojnë mbi 100 tituj të ndryshëm! Në Tetovë nuk promovohet gati asnjë titull i botuar, ndonëse mundësitë objektive janë që në çdo të tretën ditë të promovohet, të diskutohet e të debatohet mbi librat e botuar! Në Tetovë kemi njerëz të muzikës të cilët edhe më tej ngelin të patejkalueshëm në rang kombëtar, ndërsa nuk kemi asnjë koncert, as argëtues e as popullor! Në Tetovë kemi piktorë të mrekullueshëm, nuk kemi ekspozita të studentëve, të krijuesve të artit figurativ. Ne Tetovë paskemi vetëm kafiteri që frekuentohen nga studentët, ndërsa mungojnë iniciativat institucionale (Universitet, Fakultet, Komunë) që pikërisht ato hapësira të shfrytëzohen për ngjarje kulturore. Studentët shkojnë për të pirë kafe dhe për ta “humbur kohën e lirë”, ndërsa nuk shohin ndonjë ekspozitë, promovim të ndonjë libër, nuk shohin ndonjë monodramë, ndonjë shfaqje alternative, ndonjë koncert të muzikës serioze që mund të interpretohet me katër-pesë instrumente etj.
E njëjta jetë kulturore mund të zhvillohet edhe në Shkupin e më shumë universiteteve. Çarshia e Vjetër mund të shndërrohet në një shtëpi kulturore e hapur. Si në Tetovë ashtu edhe në Shkup, kafe-lokalet që frekuentohen prej studentëve tanë mund të kenë edhe këndin e librit, tavolinat e leximit, muret me rafte përplot libra, ku, nëse jo të gjithë, një numër studentësh do të zinin vend për të pirë kafe duke lexuar e studiuar. Këto lokale fare lehtë mund të shndërrohen në kënde ku manifestohet edhe kulturë dhe jo vetëm bjerrje kot e kohës së lirë, të cilën shqiptari e ka me bollëk!
Pra, një platformë kulturore e harmonizuar në mes të faktorëve kyç të kulturës lokale, një marrëveshje në mes të pronarëve të ndryshëm që menaxhojnë qoftë me lokal, me universitete apo me komunë, iniciativa për formim të asociacioneve kulturore amatore apo gjysmë profesionale, për një periudhë relativisht të shkurtër do të krijonin mundësi reale për aktivitete të përditshme kulturore. Alternativa ka plotë, ndërsa ato duhet të hulumtohen e të studiohen. Në këtë proces nuk guxojmë të futemi me mentalitetin: “kohën e lirë e bjerrim kafe-çajtoreve”! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *