LIRIA KRIJUESE QË FALË PËRJETËSINË

AVNI HALIMI, për frymëzimin, procesin krijues, kohën…

(Enkas për HEJZA-n)

Krijuesi i Parë tashmë kishte krijuar Hapësirën dhe Kohën! I duhej një krijim i përsosur që t’ia bëjë peshqesh këto dy krijime esenciale për jetën! Frymëzimi i Tij ishte që të sjellë diçka të bukur, të bukurën e përjetshme; ishte tërësisht i lirë që të krijojë atë çfarë i thoshte Mendja Absolute!
Pra, njeriu është rrjedhojë e Lirisë së Plotë për ta prekur të bukurën e përjetshme! E kuptoj kërkesën e juaj për të folur për frymëzimin si liri, si liri krijuese që të ofron gjithë mundësitë për të arritur deri te ai frymëzim që i hap shteg procesit për ta krijuar të bukurën, për të bërë art. Nëse krijuesi artistik, frymëzimin e vet e kërkon në kohë dhe në histori, atëherë, mjerisht, kemi të bëjmë me një “frymëzim parazit”, i cili, si ushujzë kapet për një trup dhe nuk shkëputet deri sa të bymehet me gjak! Pasi të fryhet, shkëputet dhe plandet në lluc! Të kërkosh frymëzimin në kohë dhe në histori, do të thotë të jesh “kopjues estetik” i ngjarjeve, “kronist estetik”, do të thotë të jesh letrarizues i ngjarjeve të ndodhura, të cilat kryekëput janë politike! Jo në histori, por edhe në kohën e tashme e ke “lirinë absolute” për ta gjetur frymëzimin! Megjithatë, je i robëruar, të robëron koha dhe të nxjerr në “oborrin shëtitës” vetëm si krijues që vrapon pas aktuales. Aktualiteti është proces i kohës, është një fraksion gati i papërfillshëm i shiritit të kohës! Aktualiteti mbulohet me aktualitet dhe krijohet ajo piramidë e kohës, në majën e së cilës të pret frymëzimi. Sapo ta arrish atë frymëzim, rrënohet dhe shkërmoqet tërë ajo piramidë dhe, nëpër ato gërmadha zhduket diku edhe vetë krijuesi!
Me kthimin e Skënderbeut në Krujë, jo vetëm që u ndalua gërryerja nëpër palcën e skeletit të identitetit kombëtar që kishte nisur shekuj e mileniume më parë, po, u përcaktua qartazi edhe orientimi perëndimor i përjetshëm i identitetit tonë kulturor. Shumë pak e tejkaluam këtë problem që ishte zgjedhur që në çastin e Kthimit të Madh! Gjashtë shekuj krijuam e u përpoqëm ta mbajmë krijimin si fakt mbi faktin që e kishte dëshmuar botërisht Skënderbeu! Tërë krijimin tonë e orientuam kah dëshmimi se jemi pro-perëndimorë, duke u vetë-shndërruar në rob të një fakti të cilin nuk na e mohonte askush, sepse argumentet të përgjithshme ishin dhe janë në anën tonë! Krijimtaria jonë artistike ngeli pa atë liri absolute veprimi siç e patëm në humanizëm (Nëna Tereze), në thellimin e njohurive shkencore (Ferid Murati)!
A jemi të gatshëm që një ngjarje, natyrisht, si fiksion, por, pse jo, edhe me brumë të reales, ta bartim në një hapësirë dhe kohë ku e gjen krejt lirinë e mundshme për t’ia falur përjetësinë krijimtarisë tënde! Një ngjarje e nxjerrë nga koha dhe historia, pas frymëzimit nga liria e shenjtë për të krijuar në të tjera dimensione, ka sjellë krijimtari letrare të papërsëritshme, të pavdekshme, të përjetshme! Vetëm liria si frymëzim mund t’ia sjellë njerëzimit një krijim si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i Kadaresë, “Alkimisti” i Kohelos, “Don Kishoti” i Servantesit, “Pedro Paramo” i Rulfos, “Njëqind vjet vetmi” i Markezit, “Plaku dhe deti” i Hemingueit, “Pirgu” i Teki Dërvishit, “Oh” i Anton Pashkut etj.
Kush mund ta sfidojë kohën përveçse liria krijuese! Pra, nuk po flasim për atë liri që ta jep apo ta cungon politika! Po flasim për atë liri që e tall edhe politikën, duke e anashkaluar dhe duke mos e përfillur fare. Një krijues i mirëfilltë e tejkalon politikën, nuk merret me të! Ky konstatim nuk e nënvlerëson Kiplingun, i cili herë pas herë hoqi dorë nga krijimtaria, duke u dhënë pas opinioneve politik. Dhe, çka ndodhi pas vdekjes së Kiplingut? Borhesi thotë se, pas vdekjes së tij, nuk ia dhamë vendin meritor krijuesi, ngaqë u ndikuam nga opinionet e tij politike. Nisëm ta gjykojmë si politik-bërës. Vetëm kur nisëm ta tejkalojmë këtë fakt, e pamë se sa i madh kishte qenë shkrimtari!
Liria që e ka krijuesi është përtej fuqisë së lirisë politike! Liria politike është vrastare, është acid që shlyen dhe zhduk gjurmët e kohës, kurse liria e krijuesit falë jetë. Prandaj, sot, njerëzimi njeh një duzinë emrash të shkrimtarëve dhe artistëve botërorë, ndërsa nuk i kujton qoftë edhe tri emra të politikanëve përgjatë historisë dhe kohës!
Si krijues bëj pjesë në mesin e atyre që çdo frymëmarrje, gjumin, pushimin, meditimin, çdo sekondë të jetës e kanë proces krijues. Libri, si produkt final, është teknikisht, “pasojë” e këtij procesi. Kur na merr malli për Lirinë Absolute, ulemi, i sistemojmë, i shtrijmë, i palosim të gjitha materie e atij procesi dhe, ja ku del produkti final – vepra! Asnjë vepër nuk është qëllim më vetvete! Ajo del sa për ta provokuar kritikën e cila i shpluhuros dhe i mbindërton konceptet estetike, që e provokon debatin artistik! Vepra jonë artistike ka kohë që ka ngelë pa këto dy gjëra që në fakt janë eliksiri i jetëgjatësisë së krijimtarisë artistike. Pa kritikë e debat, ndaj dhe vepra mund të flejë gjumë dhe mund të zgjohet në një epokë ku mund t’i gjejë lexuesit e vet që do të fascinohen nga krijimi i një kohë shumë të shkuar dhe, njëkohësisht, shumë të largët për krijuesin, artistin e sotëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *