Gërvalla: Asociacioni, pasi të zbatohet marrëveshja bazë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, tha se qeveria do ta shqyrtojë draftin e BE-së për Asociacionin vetëm nëse Serbia e zbaton në tërësi marrëveshjen bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit. Sipas saj, Kosova nuk mund të dërgojë draftin e Lajçak për asociacionin në Gjykatën Kushtetuese si pjesë të ndarë nga marrëveshja e arritur vitin e kaluar, por vetëm si pjesë e pakos që parasheh edhe planin e detajuar të implementimit.

“Ne nuk e injorojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ai Asociacion me ato të drejta të fuqishme që i ka dhënë marrëveshja e vitit 2013-2015 me këtë qeverisje nuk mund të realizohet. Kjo ka qenë arsyeja që më vonë na ka ardhur një draft i ri i prezantuar nga BE. Mirëpo, ne edhe me draftin e ri të BE-së e kemi parë që me Serbinë gjatë bisedave bilaterale në Bruksel nuk kemi arritur sukses. Ne nuk mund të aplikojmë diçka, e cila është e paraparë në Bruksel si pjesë e marrëveshjes në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nëse Serbia e refuzon”, tha Donika Gërvalla, ministre e jashtme e Kosovës.

Gërvalla kërkon nga aleatët ndërkombëtar të marrin parasysh propozimin për hartimin e një draft statuti. Sipas saj, Kosova është e gatshme të ulet me përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë, në mënyrë që qeveria të hartojë një draft-statut të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Si zgjidhje të duhur, ajo konsideron mundësinë që BE këtë draft ta dërgojë në Komisionin e Venecias për vlerësim. E pyetur për rrezikun nga Serbia, Gërvalla tha se janë vigjilentë dhe nuk frikësohen.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke thënë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin nuk parasheh diçka të tillë. Faktori ndërkombëtar insiston që Kosova duhet të formojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Mos bërja e hapave në këtë drejtim e ka penalizuar Kosovën me mos anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas ndërkombëtarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *