Gjeneral Brigade, Christian Nawrat, merr përsipër detyrën e Drejtorit të Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s nga Gjeneral Brigade Ralf Hammerstein, i cili e ka udhëhequr Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT), që nga muaji mars 2023.
“Kam pasur nderin t’a udhëheq Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s këtu në Kosovë. Ne kemi vazhduar të punojmë ngushtë me organizatat e sigurisë në Kosovë, dhe i falënderoj homologët tanë për angazhimin e tyre të vazhdueshëm dhe konstruktiv me mua dhe me Ekipin. Falë këtij ambienti të besimit dhe respektit të ndërsjellë, ne kemi arritur shumë vitin e kaluar, posaçërisht në mbështetjen e kontrollit më të madh civil dhe mbikëqyrjes demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Organizatat e sigurisë në Kosovë kanë demonstruar profesionalizëm dhe përkushtim të madh, i cili ka kontribuar pozitivisht në planifikimin emergjent të Kosovës. Ekipi Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës i NATO-s do të vazhdojë t’i mbështesë ato, në përputhje me udhëzimet e Këshillit Veri-Atlantik të NATO-s”, theksoi Hammerstein.
Ndërkaq drejtori i ri i Ekipit Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s, Gjeneral Brigade Christian Nawrat, i lavdëroi të arriturat e pararendësit të tij, duke shpresuar që të vazhdojë në këtë drejtim: “Jam i privilegjuar t’i mbështesë objektivat e NATO-s në Kosovë duke e udhëhequr Ekipin Këshillëdhënës dhe Ndërlidhës të NATO-s. Organizatat e sigurisë në Kosovë më kanë ofruar mikpritje të ngrohtë dhe unë e mirëpres angazhimin e ngushtë me këto institucione”, theksoi ai.
Gjenerali Nawrat ka pasur karrierë mjaft të shquar në Forcat e Armatosura Gjermane, duke shërbyer në pozita të larta në Ministrinë Federale të Mbrojtjes në Gjermani, në Ushtrinë Gjermane dhe në Shtabin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, bëhet e ditur në njoftimin për shtyp.