Blinken i quan shpresëdhënëse sinjalet se Hamasi përkrah marrëveshjen e armëpushimit të mbështetur nga OKB-ja

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, tha të martën se një deklaratë e Hamasit në mbështetje të një rezolute të Kombeve të Bashkuara që përkrahë një propozim për një armëpushim në luftën e Gazës është një “shenjë shpresëdhënëse”.

Bisedimet mbi planet për Gazën pas përfundimit të luftës Izrael-Hamas po vazhdojnë sot dhe në dy ditët e ardhshme, tha sekretari Blinken në Jerusalem, pas bisedimeve me udhëheqësit izraelitë. “Është e domosdoshme që ne t’i kemi këto plane”.

Sekretari Blinken u takua me zyrtarë izraelitë në një përpjekje të përbashkët për t’i dhënë fund luftës tetë mujore, një ditë pasi propozimi i presidentit Joe Biden për një armëpushim, u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Përpara udhëtimit të sekretarit Blinken, Izraeli dhe Hamasi përsëritën pozicionet e vijës së ashpër, që kanë dëmtuar ndërmjetësimin e mëparshëm për t’u dhënë fund luftimeve, ndërsa Izraeli ka vazhduar me sulmet në Gazën qendrore dhe jugore, ndër më të përgjakshmit që nga fillimi i luftës.

Të martën, megjithatë, zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri, i cili ndodhet jashtë Gazës, tha se e pranon rezolutën e armëpushimit dhe është gati të negociojë mbi hollësitë, duke shtuar se i takon Uashingtonit të sigurojë që Izraeli t’i përmbahet asaj.

Ai tha se Hamasi pranoi formulimin që përcakton tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza dhe shkëmbimin e pengjeve të mbajtura në territor për të burgosurit palestinezë që mbahen në Izrael.

“Administrata amerikane përballet me një sprovë të vërtetë për të përmbushur angazhimet e saj për ta detyruar okupatorin t’i jap fund luftës menjëherë duke zbatuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha Abu Zuhri për agjencinë e lajmeve Reuters.

Sekretari Blinken, duke folur me gazetarët, tha se bisedimet e tij po trajtonin gjithashtu planet për të ardhmen e Gazës, duke përfshirë sigurinë, qeverisjen dhe rindërtimin e enklavës së shkatërruar.

“Ne po e bëjmë këtë duke u këshilluar me shumë partnerë në të gjithë rajonin. Këto biseda do të vazhdojnë…është e domosdoshme që ne t’i kemi këto plane”, tha ai.

Frika nga një luftë e madhe Izrael-Hezbollah

Në vizitën e tij, të tetën në Lindjen e Mesme që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas tetorin e kaluar, sekretari Blinken shpreson gjithashtu t’i kundërvihet dhunës në rritje midis Izraelit dhe Hezbollahut të Libanit, pasi të dyja palët sinjalizuan gatishmërinë për një konflikt të madh.

Sekretari Blinken u takua me presidentin izraelit Isaac Herzog, ish-shefin e ushtrisë Benny Gantz, i cili u largua nga qeveria e dominuar nga e djathta të dielën, për shkak të asaj që ai tha se ishte dështimi i qeverisë për të hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës, si dhe me udhëheqësin e opozitës Yair Lapid.

Departamenti Amerikan i Shtetit tha se sekretari Blinken diskutoi mbi propozimin e armëpushimit të presidentit Biden me zotin Gantz dhe përsëriti se ai do të avanconte interesat e sigurisë të Izraelit, do të sillte pengjet në shtëpi dhe do të rriste shanset për të rivendosur qetësinë përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.

Propozimi i presidentit Biden parashikon një armëpushim dhe lirimin e pengjeve në këmbim të palestinezëve të burgosur në Izrael në tri faza, duke çuar drejt një fundi të përhershëm të luftës.

Shtetet e Bashkuara janë aleati më i afërt i Izraelit dhe furnizuesi më i madh i tij me armë, por janë bërë gjithnjë e më kritikuese për numrin e lartë të vdekjeve të civilëve, shkatërrimin e madh dhe krizën humanitare të shkaktuar nga lufta e Izraelit në Gaza dhe kanë ushtruar trynsi më të madhe për t’i dhënë fund asaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *