Varhelyi: Serbia të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në

Komisioneri për dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha në Beograd se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me Bashkimin Evropian, ndërsa shfaqi besimin se vendi ballkanik do të jetë pjesë e bllokut deri në fund të mandatit të Komisionit të ri Evropian.

“Komisioni i ardhshëm do të duhet të angazhojë tërë punën dhe përpjekjet e tij për të anëtarësuar vendet e reja në Bashkimin Evropian,” tha komisionari Varhelyi, pas një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Varhelyi shtoi se Serbia duhet të punojë në reformat e saj demokratike, sundimin e ligjit dhe “të përafrohet më tej me politikën e jashtme të BE-së”.

Muajin e kaluar ministrat e Jashtëm të BE miratuan ndryshimet në kapitullin 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë, duke i bërë pjesë të tij detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që u arrit vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.

Zbatimi i marrëveshjes është kusht edhe për përparimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane, ndonëse ajo është e fundit në rajon në këtë proces.

Gjatë takimit me presidentin serb, komisioneri evropian diskutoi edhe për Planin e BE-së për Rritjen Ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, një çështje për të cilën me 16 maj, pritet të mblidhen në Kotor të Malit të Zi, udhëheqësit e bllokut me ata të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *