Shumë nga politikanët shqiptarë, andej e këndej kufirit, me veprimet e tyre tregojnë se janë pa zemër, pa ndërgjegje dhe pa dije elementare në përgjithësi dhe sidomos në lëmin e kulturës, në veçanti.
Te shumica prej tyre, për shkak të injorancës, nuk ekzistonte vetëdija e identitetit, por thjeshtë instinkti i interesit material, gjë që ka bërë të prijmë në statistikat për korrupsionin, si pjesë e strategjive afatshkurtër në sensin e pasurimit brenda natës.
Meqë praktika ka treguar se interesimi i politikanëve për kulturën është vetëm sa për sy e faqe, pasi në këtë fushë janë analfabetë total, atëherë nuk duhet të habitemi fare për pozitën e rëndë në planin e trashëgimisë shpirtërore. Thjeshtë ata janë diletantë me ambicie të sëmurë. Ata nuk synojnë kulturën, por lekun…Tek ta nuk depërton më as zëri që vjen nga e kaluara e rëndë, por as zëri i arsyes nuk troket në ndërgjegjen e tyre.
Çlirimi i mendjes së robëruar nga hipnoza e lekut duket së është një dukuri e shëmtuar, për të mos thënë mision i pamundur, sepse në këtë gjendje, pra të mendjes së hipnotizuar nga leku, zgjimi është një proces i vështirë.
Mbase, çfarë mund të presim nga politikanë, të cilët as vetë nuk e dinë se cili është libri i fundit që e kanë lexuar! Çfarë mund të presim nga ata që veten e konsiderojnë si të “dërguar” për mirëqenien e shqiptarëve, fati i të cilëve (ekzistojnë me miliona shembuj) thjeshtë keqpërdoret vetëm e vetëm që këta “të dërguar” t’i ruajnë privilegjet që u ofron pushteti.
Sot, fatkeqësisht, rëndë po e pëson indi shqiptar, i cili herë pas herë po përjeton intervenime kirurgjikale pa anestezion. Koncepti i veprimit politik, duke e lënë krejt anash kulturën, është një koncept vetëvrasës. Duhet të jetë e qartë se kultura shqiptare duhet trajtuar në mënyrë institucionale edhe atë në mënyrë permanente dhe jo të ketë statusin e një gome rezervë, që përdoret vetëm në situata emergjente.
Perëndimi i politikës hipnotizuese tash për tash nuk shihet askund.
(HEJZA)