Kremlini njoftoi sot se kanë pasur kontakte me Shtetet e Bashkuara në lidhje me një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve që përfshin gazetarin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, por se ata duhet të qëndrojnë larg medias.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, citoi komentet e presidentit Vladimir Putin në fillim të këtij muaji në një takim me redaktorët e lartë të agjencive ndërkombëtare të lajmeve. Putin tha atëherë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ishin në kontakt për këtë çështje.
“Dua t’ju kujtoj përsëri bisedën e presidentit me krerët e agjencive të informacionit në Shën Petersburg – ai konfirmoi se ka kontakte të tilla”, tha Peskov.
“Ato vazhdojnë, por duhet të vazhdojnë të zhvillohen në heshtje të plotë… Prandaj, nuk mund të jepen njoftime, deklarata apo informacione për këtë çështje”, shtoi ndër tjera zëdhënësi i Kremlinit.
Kur u pyet se pse gjyqi për spiunazh i Gershkovich do të mbahej me dyer të mbyllura, Peskov tha se ai nuk ështëë në gjendje të komentojë asgjë për çështje të tilla pasi është një vendim i marrë nga gjykata.
“Ky është një vendim gjykate. Ne nuk mund ta komentojmë këtë”, tha Peskov.
Gershkovich, 32 vjeç, u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) më 29 mars 2023, në një restorant në qytetin Yekaterinburg, 1,400 kilometra në lindje të Moskës, me akuzën e spiunazhit që mbart deri në 20 vite burg.
Gazetari i parë amerikan që u arrestua me akuza për spiun në Rusi që nga Lufta e Ftohtë më shumë se tre dekada më parë, Gershkovich i ka mohuar vazhdimisht akuzat.