Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, është takuar me delegacionin e deputetëve të CSU-së të Parlamentit të Bavarisë, drejtuar nga Gerhard Hopp.
Konjufca tha se Kosova ka një lidhje të veçantë me Gjermaninë, e që sipas tij, është forcuar me kontributin e jashtëzakonshëm gjerman përgjatë të gjitha fazave, përpara dhe pas pavarësisë së Kosovës.
“Deputetëve gjermanë iu kujtova se Bavaria është nga rajonet që ka pritur emigrantët e parë shqiptarë nga Kosova në Gjermani, në vitet ‘60. Për të gjitha këto ne kemi mirënjohje të thellë, e do të sigurohemi që të mbajmë të palëkundur këtë lidhje si themel të bashkëpunimit”.
“U pajtuam se raportet mes Kosovës dhe Bavarisë, si dhe Gjermanisë në përgjithësi, duhet të thellohen edhe më tej në një masë të gjerë fushash, e për këtë shprehëm dyanshëm gatishmërinë e plotë për angazhimin tonë optimal”, shkroi Konjufca.
Më tej, Konjufca tha se Kosova është e interesuar të përfitojë nga modeli i arsimit profesional në rajonin e Bavarisë dhe shtetit të Gjermanisë në përgjithësi, përmes të cilit, sipas tij, tregut të punës në Kosovë t’i ofrohet kuadër sa më profesional.
“Delegacioni gjerman u shpreh shumë i kënaqur me vizitën në Republikën e Kosovës dhe më falënderuan për pritjen. Ata konstatuan të arriturat e shumta që Kosova i ka bërë si shtet dhe shprehën mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në strukturat euroatlantike, duke përfshirë Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n”, shkroi Konjufca.