Dhomat e Specializuara të Hagës bëjnë të ditur se Trupi Gjykues në çështjen Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, më 19 qershor, miratoi një kërkesë të Mbrojtjes së Rexhep Selimit për t’i përjashtuar nga procesi disa prova në lidhje me një dëshmitar.
Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media zëdhënësi i DhSK-së, Michael Doyle.
“Trupi Gjykues konstatoi se provat përkatëse kishin vlerë provuese të kufizuar dhe kanë efekt dëmtues të konsiderueshëm për të akuzuarin. Gjithashtu, Trupi Gjykues udhëzoi Prokurorinë të mos bënte pyetje në lidhje me këtë provë gjatë dhënies së dëshmisë prej dëshmitarit dhe të paralajmëronte dëshmitarin të mos fliste për të gjatë dhënies së dëshmisë.”
Më 20 qershor, Trupi Gjykues miratoi një kërkesë të Prokurorisë për të lejuar dy dëshmitarë të japin dëshmi nëpërmjet videolidhjes. Njëri prej dëshmitarëve nuk mund të udhëtojë për shkaqe shëndetësore, ndërsa për dëshmitarin tjetër Prokuroria ngriti shqetësime për shkaqe sigurie. Trupi Gjykues theksoi se palët mund t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve njësoj sikur të ishin në sallë të gjyqit dhe ekipet e Mbrojtjes nuk paraqitën kundërshtime ndaj kërkesës. Trupi Gjykues theksoi gjithashtu se dëshmia nëpërmjet videolidhjes mund të çojë në proces gjyqësor më të shpejtë”, thuhet në njoftim.