Kryetari i Komisionit të Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth, ka shprehur shqetësimin e tij, për lidhjet e ngushta të disa politikanëve në Mal të Zi, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Roth në një intervistë për gazetën Pobjeda, tha se Vuçiq nuk është partner i besueshëm për rajonin.
Sipas tij, aleancat e tilla i minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi.
“Është shqetësuese kur politikanë malazezë kanë lidhje ngushta me një lider që ka dëshmuar të jetë një partner jo i besueshëm për BE-në dhe rajonin. Aleanca të tilla mund të minojnë aspiratat evropiane të Malit të Zi. Udhëheqësit e vendit duhet të kenë prioritet angazhimin e tyre ndaj vlerave dhe parimeve demokratike të BE-së për të qëndruar në rrugën e duhur. Vendi tani ka një shans real për të kapërcyer ndarjet, qofshin ato etnike, fetare apo politike, në një përpjekje të përbashkët për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Ky shans është unik dhe i ndjeshëm ndaj kohës dhe nuk duhet të minohet” tha Roth për gazetën malazeze Pobjeda.
Ish-ministri gjerman për Evropën, shprehu brengën e tij në lidhje me ndikimin politik të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi.
Michael Roth tha se ajo vepron si kanal i ndikimit rus në shtetin malazez.
“Unë e kuptoj dhe e respektoj plotësisht që shumë qytetarë të Malit të Zi e gjejnë shtëpinë e tyre shpirtërore në Kishën Ortodokse Serbe. Kjo çështje i takon lirisë fetare, e drejtë themelore e njeriut. Megjithatë, jam thellësisht i shqetësuar për ndikimin politik të Kishës Ortodokse Serbe, veçanërisht përfshirjen e saj në sistemin arsimor të Malit të Zi dhe ndikimin e saj tek të rinjtë. Në këtë kuptim, roli i Kishës në Mal të Zi është shqetësues. Jam dakord me vlerësimin e Parlamentit Evropian se Kisha Ortodokse Serbe vepron si një kanal i ndikimit rus dhe se paraqet një kërcënim për integrimin evropian të Malit të Zi”, u shpreh deputeti i Bundestagut gjerman, Michael Roth.