Një ligj i diskutueshëm mobilizimi ka hyrë në fuqi së fundmi, ndërsa Kievi përpiqet të rekrutojë trupa mes një ofensive të re ruse që kërcënon Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.
Legjislacioni synon të thjeshtojë identifikimin e rekrutëve në mbarë vendin. Ai gjithashtu ofron stimuj për ushtarët, si ndihmë financiare.
Bëhet e ditur se ligji u miratua pas muajsh vonesë, pak pasi Ukraina e uli moshën e rekrutimit nga 27 në 25 vjeç.
Siç raportohet, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar dy ligje: një që lejon të burgosurit t’i bashkohen ushtrisë dhe një tjetër që i rrit gjobat e atyre që i shmangen shërbimit ushtarak, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Versionet fillestare të ligjit të mobilizimit përfshijnë dispozita për çmobilizimin e trupave pas 36 muajsh dhe rotacione të ushtarëve.
Ndryshe, Ukraina për muaj të tërë ka luftuar për të forcuar ushtrinë e saj.
Që nga fillimi i luftës, burrave nën 60 vjeç u është ndaluar të largohen nga Ukraina, me përjashtime për personat me aftësi të kufizuara dhe ata me tre ose më shumë fëmijë.
Në pamundësi për të kaluar ligjërisht kufirin, disa ukrainas kanë rrezikuar jetën e tyre duke u përpjekur të notojnë përtej lumenjve drejt Rumanisë dhe Hungarisë.