Shkruan: Afrim Tahiri
Ngacmimet seksuale të vajzave nga mësimdhënësit e tyre në shkollat tona janë një problem serioz që prek të drejtat dhe sigurinë e nxënësve, integritetin e tyre dhe dinjitetin familjar. Natyrisht, kjo dukuri vjen si pasojë e disa faktorëve social, institucional dhe kulturor. Këtu diku mund të fshihet edhe ai “mister” që do të na fliste nëse ka pasur dukuri të tilla edhe më herët, apo, janë dukuri që po na shfaqen si rrjedhojë e degradimit gradual të shoqërisë sonë.
-Pse sot dëgjojëmë kaq shpesh për ngacmimet seksuale që po u bëhen fëmijëve tanë nëpër shkolla. Ne kemi pranuar se mësuesi dhe mësuesja janë babai i dytë, nëna e dytë e fëmijëve tanë dhe, prindërit nuk vënë dorë mbi fëmijët e tyre, nuk i ngacmojnë, madje as që duhet t’u shkojë mendja në amoralitet.
Mal pa ujqër nuk ka! Kemi qindra mijëra nxënës dhe mijëra mësimdhënës. Është fatkeqësi e tmerrshme qoftë edhe vetëm një rast ngacmimi seksual. Porse, fatmirësia në këtë fatkeqësi është se tashmë kemi të bëjmë me një vetëdije më të ngritur, me një edukatë më të avancuar dhe, fëmijët tanë, familjet tona, nuk ia përtojnë ta denoncojnë dhe ta zbadhin një problem të tillë të pistë.
Po pse duhet të na ndodhin dukuritë e tilla? Pa dyshim, sepse edhe më tej mungon kontrolli institucional si dhe transparenca. Shkollat tona si dhe institucionet shtetërore gjegjëse të arsimit edhe më tej vuajnë nga mungesa e politikave të qarta për të monitoruar dhe raportuar sjelljet e papërshtatshme të stafit arsimor. Nga këtu, pastaj, krijohen ambiente ku abuzuesit ndjehen komod në qëllimet e tyre duke qenë edhe të sigurtë se nuk do të përballen me pasoja.
Pa dyshim, militantizmi partiak si dhe mungesa e përgatitjeve përkatëse arsimore, shpesh bën që disa mësues të ndjehen edhe autoritarë dhe këtë pozitë ta shfrytëzojnë për të përfituar nga nxënësit, nga studentët, duke përdorur frikën ose shantazhin.
Në botën perëndimore fëmijët që në kopshte zhvillojnë edukimin seksual dhe këta fëmijë fare mirë e kanë të qartë se çka është ngacmimi seksual dhe si duhet ta raportojnë atë.
Në shoqërinë tonë, fatkeqësisht, edhe më tej kultivohet “kultura e heshtjes dhe turpit”! Dhe ky fenomen abuzuesit i trimëron, ata edhe më tej janë të bindur se vepimi i tyre i turpshëm do të heshtet nga viktima dhe nuk do të raportohet, sepse pasojat sociale do të jenë të parikuperueshme, madje të përjetshme. Kjo “kulturë” i ndihmon abuzuesit që edhe më tej të jenë prezent në mesin e shkollave tona dhe gjithnjë të ngelin të paidentifikuar.
Kur ngacmimet ndodhin dhe abzuesit nuk do të ndëshkohen, pa dyshim që kjo do të çojë në përsëritje të sjelljes amorale. Abuzuesit gjithnjë do të ndjehen si “macho” që mund të veprojnë pa pasoja.
Digasteret dhe institucionet gjegjëse shtetërore, përfshirë këtu dhe shkollat, duhet që urgjentisht të ngrisin politika të qarta që do të gjenerojnë rregullore të pashkelshme; të kenë politika strikte për të trajtuar rastet e ngacmimeve seksuale. Këto politika duhet të jenë të qarta dhe transparente, duke përfshirë mënyrën e raportimit dhe masat ndëshkuese. Me këto politika e rregullore duhet që të trajnohen si stafi mësimor ashtu edhe nxënësit, madje që në parashkollorë, që të dinë se çfarë është ngacmimi seksual, t’i dallojnë shenjat sado qofshin të “kamufluara” dhe si të raportohen ato. Çdo kush në shkollë duhet të dijë se cilat janë pasojat nga një veprim i tillë, qoftë ky edhe në tentativë që gjithnjë justifikohet si “shaka”! Pa dyshim, ky seriozitet i institucioneve dhe shkollave tona do ta rriste ndërgjegjësimin por, nga ana tjetër, do ta krijonte edhe një kulturë të sigurisë.
Krahas kësaj, segmente të caktuara të shoqërisë, në veçanti mediat, duhet të luajnë rol të jashtëzakonshëm në edukimin e shoqërisë sonë për ta kuptuar sa më shumë këtë dukuri dhe për të mësuar se jo gjjithçka mund të stigmatizohet. Fëmijët që raportojnë ngacmimin seksual nga mësuesit e tyre duhet të trajtohen si heronj të vërtetë dhe jo të stigmatizohen e të bullizohen. Në shkollat e shteteve perëndimore funksionojnë linja të posaçme ndihmëse si dhe kanale anonime për raportim të kësaj dukurie. Natyrisht, do të ishin fare të kota të gjitha raportimet dhe edukimet e ndryshme nëse ndëshkimet ligjore do të ishin të buta apo edhe të lehta. Është koha që shtetet tona të kenë ligje të qarta dhe ndëshkime të ashpra për mësimdhënësit që përfshihen në ngacmime seksuale. Kur abuzuesit përballen me pasoja ligjore të ashpra, kjo shërben si një mesazh i qartë për të tjerët.
Thënë shkurt, kombinimi i masave ligjore, edukative dhe mbështetëse do të ndihmonin në parandalimin e ngacmimeve seksuale në shkolla dhe të krijonin një ambient të sigurt për të gjithë nxënësit.
Megjithatë, unë si teolog, e kam të patjetërsueshëm që të thërras edhe në kodeksin e veshjes. Duhet të jetë rregullativë e posaçme edhe protokolli i veshjes si i mësuesve ashtu edhe i nxënësve në shkolla. Shumë analiza të ojq-ve të ndryshme flasin që veshja jo adekuate si dhe makijazhi i rëndë janë ndër faktorët kryesor që po provokojnë ngacmime seksuale. Prandaj, në masat edukative ndërgjegjësuese duhet të përfshihen edhe prindërit dhe prej tyre të kërkohet që të jenë ndër ndihmuesit kryesorë në zbatimin e politikave si dhe të rregllativave të shkollave ku fëmijët tanë kalojnë gjysmën e ditës.