Sorting by

×

Popular Posts

Nga arkivi/ LISTA E SHKRIMTARËVE “POZITIV” DHE “NEGATIV” TË KOSOVËS

Nga nevoja për të ruajtur një narrativ të caktuar kombëtar dhe ideologjik, regjimi i kohës në Shqipëri, përveç me gjuhëtarë merrej edhe me shkrimtarët shqiptarë të Kosovës, për të cilët hartonte lista se kush është i dëshiruar e kush është i rrezikshëm. Ky vlerësim, i ndarë midis shkrimtarëve “të dëshiruar” dhe atyre “të rrezikshëm” e “antishqiptarë”, reflektonte një atmosferë të fortë kontrolli dhe manipulimi të kulturës, që kishte pasoja të thella për zhvillimin e identitetit kombëtar. Çuditërisht, në listën e shkrimtarëve të dëshiruar ka plotë emra që kanë qenë të angazhuar në afirmimin e socializmit jugosllav, të bashkim-vëllazërimit si dhe emra që më shumë i kanë kontribuar UDB-së se sa letërsisë shqiptare! Ndërsa, pa dyshim, mungojnë emrat e atyre që ishin therë në sytë e jugosllavëve dhe që përndiqeshin nga sistemi komunist jugosllav.
Regjimi shqiptar i kohës promovonte shkrimtarë të caktuar nga Kosova, që vlerësoheshin si persona në përputhje me linjat ideologjike të Tiranës. Këta shkrimtarë, që shquheshin për angazhimin e tyre në përhapjen dhe forcimin e soc-realizmit shqiptar, si dhe që ndihmonin në forcimin e narrativës së unitetit kombëtar, merrnin mbështetje dhe vlerësim nga autoritetet, duke u botuar dhe promovuar në Tiranë si intelektualë të mëdhenj kombëtar.
Në anën tjetër, çdo shkrimtar në Kosovë, sikundër edhe në diasporë, që shprehte ide që konsideroheshin si devijante, kritike ndaj regjimit ose që synonin një qasje më të hapur dhe më të larmishme për identitetin shqiptar, ishin të etiketuar si “të rrezikshëm” dhe “antishqiptarë”. Këta shkrimtarë, që shpesh ofronin një reflektim më të thellë mbi përvojat dhe sfidat e Kosovës dhe të shqiptarëve, u përballën me ndjekje, censurë dhe margjinalizim. Regjimi e shihte këtë lloj të shkrimtarëve “hermetikë” dhe “rrebelë” si kërcënim për stabilitetin e tij dhe si një rrezik për narrativën e kombit shqiptar.
Politika e censurës e regjimit i ndalonte shkrimtarët e rrezikshëm të shpreheshin lirshëm, e aq më pakë të botohen e të njihen në Tiranë, duke e bërë kështu artin dhe letërsinë një fushë të kontrolluar dhe të varfër. Nga ana tjetër, “shkrimtarët dekadentë” të Kosovës nga ky linçim komunist shpesh ndjeheshin të vetmuar dhe të izoluar, duke humbur mundësinë për të kontribuar në një dialog të pasur kulturor.
Pasojat e kësaj qasjeje ishin të rënda. Shkrimtarët që kishin potencialin për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e kulturës dhe identitetit shqiptar u detyruan të heshtin, duke shkaktuar kështu një humbje të madhe për trashëgiminë kulturore dhe letrare. Kjo ndarje nuk ishte vetëm e dëmshme për shkrimtarët individë, por gjithashtu dëmtoi mundësinë për një reflektim më të thellë mbi identitetin shqiptar.
Një listë të tillë i është kërkuar të përgatisë autorit të “Shota dhe Azem Galica”, Ajet Haxhiut, një nga studiuesit e figurave të ndritura të Rilindjes sonë Kombëtare. Duke kuptuar se çfarë kërkon regjimi, cilët autorë i duhen regjimit dhe cilët i konsideron si armik të popullit, Haxhiu përgatit “Listën e krijuesve nga Kosova, të cilët i kanë shërbyer çështjes kombëtare me veprat dhe punimet e tyre”, si dhe “Listën e krijuesve që me krijimtarinë e tyre janë negativë apo të papërcaktuar”! Në listën e parë renditen krijuesit si: Esat Mekuli, Hasan Mekuli, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Ali Aliu, Agim Vinca, Abdylaziz Islami, Anton Çeta, Arif Demolli, Demush Shala, Din Mehmeti, Dervish Rozhaja, Enver Gjergjeku, Fahredin Gunga, Ekrem Kryeziu, Hasan Hasani, Idriz Ajeti, Jakup Ceraja, Jusuf Buxhovi, Latif Berisha, Lorenc Antoni, Murat Isaku, Muhamet Pirraku, Maksut Shehu, Mark Krasniqi, Nazmi Rrahmani, Qerim Ujkani, Ramiz Kelmendi, Rifat Kukaj, Rexhep Qosja, Rrahman Dedaj, Sabri Hamiti, Syrja Popovci, Shyqyri Galica, Shukri Rrahimi, Vehap Shita, Zejnullah Rrahmani, Zekirja Cana etj.
Kurse, në listën e dytë, në atë të “shkrimtarëve negativë” radhiten shkrimtarët dhe studiuesit si: Adem Gajtani, Eqrem Basha, Beqir Musliu, Ibrahim Rugova, Rexhep Ismajli dhe Anton Pashku!
Emrat si Adem Demaçi, Teki Dërvishi, Jusu Gërvalla, Fehmi Agani, Ukshin Hoti, Ymer Shkreli, Mehmet Kraja, Musa Ramadani, Edi Shukriu, Flora Brovina etj. nuk përmenden në asnjë listë!/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *