Sorting by

×

Popular Posts

Kultura si instrument i fuqisë

Nga Avni Halimi

Kultura nuk është kurrë neutrale. Ajo nuk ekziston jashtë historisë, politikës dhe strukturave sociale; përkundrazi, shpesh përdoret si instrument fuqie, për të legjitimuar pushtetin, për të kontrolluar narrativën e identitetit dhe për të formuar percepcionin e shoqërisë mbi të kaluarën dhe të ardhmen. Në një realitet ku imazhet dhe përmbajtjet qarkullojnë pa ndërprerje dhe shpesh shkëputen nga konteksti i tyre fillestar, arti gjithnjë e më shumë del jashtë hapësirës së tij të ngushtë estetike dhe hyn në një fushë përdorimesh të ndryshme. Ai nuk mbetet vetëm përvojë, por shndërrohet në instrument: herë i komunikimit publik, herë i ndikimit simbolik, e herë edhe i legjitimimit të narrativave të caktuara. Në këtë mënyrë, kufiri mes vlerës artistike dhe funksionit të saj shoqëror bëhet gjithnjë e më i paqartë.
Kjo prirje bëhet edhe më e dukshme në kontekste ku kultura është vendosur në shërbim të proceseve të ndërtimit të identitetit shtetëror, siç ndodh në rastin e disa shoqërive post-jugosllave, përfshirë Maqedoninë e Veriut. Aty, narrativat kulturore dhe historike të popullit maqedonas janë artikuluar brenda nevojës për konsolidim simbolik të shtetit, duke e bërë kulturën jo vetëm hapësirë të shprehjeve, por edhe terren të prodhimit të përkatësive dhe kufijve identitarë. Kësisoj, në Maqedoninë e Veriut, kultura shqiptare konsiderohet rrezik për narrativën e homogjenitetit maqedonas, duke u marginalizuar ose duke u interpretuar si shenjë “shovinizmi” apo “separatizmi”. Kur një kulturë e një bashkësie etnike shkëputet nga kontrolli i saj i brendshëm interpretues, ajo rrezikon të humbasë aftësinë për të përcaktuar vetveten. Në vend të një rrëfimi të gjallë që ndërtohet nga brenda komunitetit, ajo mund të kthehet në një imazh të përdorur dhe të riinterpretuar nga jashtë, shpesh për qëllime që nuk përputhen me përvojën e saj reale. Ndaj shqiptarët janë definuar prej të tjerrëve (serbëve, maqedonasëve) si “popull ardhacak”, “popull i egër e me bisht”, “egërsira të zbritura nga malet” etj.
Ndërsa sot, mbi këtë dukuri një shembull ilustrativ mund të gjendet në mënyrën se si disa aktivitete, “festivale” ose “manifestime” artistike shqiptare në Maqedoninë e Veriut financohen aq sa për të demonstruar “tolerancë” simbolike, pa i dhënë komunitetit shqiptar mundësinë reale për të menaxhuar dhe promovuar kulturën e vet. Kjo situatë shërben si mjet i fuqisë: kontroll mbi kujtesën historike, ndërprerje e narrativës së trashëgimisë dhe krijim i një imazhi të deformuar të komunitetit pakicë.
Në studimet mbi shoqëritë moderne, është theksuar shpesh se kultura nuk funksionon vetëm si hapësirë shprehjeje, por edhe si mjet ndikimi në opinionin publik. Përmes mënyrave të ndryshme të komunikimit simbolik, ajo mund të orientojë perceptimet kolektive dhe të formësojë mënyrën se si një shoqëri e kupton vetveten dhe raportet e saj të brendshme.
Kjo e bën veçanërisht të rëndësishëm rastin e komuniteteve që nuk kanë infrastrukturë të fortë kulturore dhe institucionale për ta artikuluar vetë narrativën e tyre. Në mungesë të kësaj, kultura e tyre rrezikon të përdoret ose të përfaqësohet brenda kornizave më të gjera politike, ku funksioni i saj nuk është domosdoshmërisht emancipues, por shpesh integrues ose stabilizues në raport me rendin ekzistues. Vetëm kur kultura vendoset mbi baza etike, profesionale dhe institucionale, ajo mund të shërbejë si mjet për bashkëjetesë, dialog dhe përfshirje, duke transformuar konfliktin dhe diferencimin në mundësi për njohje dhe respekt reciprok. Kujtesa kulturore nuk është një arkiv neutral, por një hapësirë që vazhdimisht rishkruhet. Kur ajo del jashtë kontrollit të narrativës së brendshme të një komuniteti, rrezikon të reduktohet në version të thjeshtuar ose të instrumentalizuar, ku historia dhe identiteti nuk shërbejnë më si përvojë e gjallë, por si mjete interpretimi të jashtëm. Për shqiptarët në viset etnike, kjo do të thotë se vetë-menaxhimi i kulturës nuk është vetëm e drejta, por edhe një detyrim për mbrojtjen e identitetit dhe për avancimin e tij.
Ky akt vetë-menaxhimi nuk duhet perceptuar si shovinizëm ose akt politik kundër shumicës, por si veprim qytetar, estetik dhe etik, i cili vendos kulturën mbi bazat e saj autentike: artin, historiografinë, gjuhën dhe traditën. Vetëm kështu mund të ndalet instrumentalizimi i kulturës si mjet pushteti dhe të krijohet një ekosistem ku diversiteti nuk është kërcënim, por pasuri. Për shembull, krijimi i qendrave kulturore, bibliotekave dhe festivaleve të menaxhuara nga komuniteti shqiptar mund të jetë shembulli konkret i një politike kulturore emancipative, ku buxheti dhe infrastruktura e përbashkët përdoren për promovimin e kulturës autentike, jo për manipulimin e saj.
Në këtë mënyrë, kultura bëhet instrument fuqie jo për dominim, por për afirmim, përfshirje dhe dialog, duke transformuar tensionet ndër-etnike në mundësi për njohje të ndërsjellë dhe konsolidim të identitetit kolektiv. Vetëm përmes një strategjie të integruar institucionale dhe etike, ku komuniteti shqiptar ka kontroll mbi narrativën dhe trashëgiminë e vet, mund të sigurohet që fuqia e kulturës nuk deformohet, por shërben si ure lidhëse mes të kaluarës, identitetit dhe të ardhmes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *