Ushtria ukrainase hyn në Rusi, Kremlini: Prapa saj është Londra!

Rusia akuzoi Britaninë se qëndron ajo pas ‘mini-pushtimit’ të jashtëzakonshëm të Ukrainës që befasoi Vladimir Putinin.

Mijëra ushtarë ukrainas sulmuan përtej kufirit rus këtë javë për herë të parë që nga fillimi i konfliktit. Që atëherë, këto trupa kanë përforcuar pozicionet e tyre, çka lë të kuptohet se Ukraina ka ndërmend ta mbajë territorin e kapur.

Lëvizja – e përshkruar nga një ish-oficer i inteligjencës në Mbretërinë e Bashkuar si një “goditje mjeshtërore” – mund të përbëjë sipas ekspertëve, një ndryshim loje në bisedimet e ardhshme të paqes. Në televizionin shtetëror Putin e përshkroi inkursionin ukrainas në territorin rus, rreth 500 km nga Moska, si një “provokim në shkallë të gjerë”.

Një politikan i lartë rus e akuzoi Londrën për nxitje të operacionit e madje dhe pjesëmarrje në të. Adalbi Shkhagoshev, anëtar i Komitetit shtetëror të Dumës ruse u tha mediave në Moskë se: “Britania ka marrë pjesë në të gjitha fluturimet e tilla. Atje sipas tij, është dëgjuar të flitet anglisht.  Rajoni i Kurskut, ku ndodhi sulmi, konsiderohet i një rëndësie kritike për furnizimet me gaz rus – kështu që eksportet tejet fitimprurëse të Moskës nga burimet natyrore, mund të jenë në rrezik.

Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes dhe të ekspertëve ushtarakë trupat ukrainase kanë depërtuar mjaft në territorin rus. Thuhet se ato kanë kapur ushtarë rusë dhe se ushtria ruse ka humbur të paktën një helikopter Ka-52 që u rrëzua nga një dron. Autoritetet ruse pretendojnë se e kanë “ndaluar përparimin e trupave të armikut” dhe se e kanë “situatën nën kontroll”, por nga qyteti i vogël Sudxha njoftohet për luftime të reja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *