Shtetet e Bashkuara vendosën të premten sanksione ndaj Lëvizjes neonaziste të Rezistencës Nordike dhe disa prej liderëve të saj, duke i cilësuar ata terroristë pasi Uashingtoni kërkon të luftojë supremacinë e dhunshme të bardhë, tha Departamenti Amerikan i Shtetit.
Aksioni e përcaktoi Lëvizjen e Rezistencës Nordike me bazë në Suedi dhe tre nga udhëheqësit e saj si “terroristë globalë”, tha Departamenti i Shtetit në një deklaratë.
Lëvizja e Rezistencës Nordike është grupi më i madh neo-nazist në Suedi dhe ka degë në Norvegji, Danimarkë, Islandë dhe Finlandë, ku edhe është ndaluar që nga viti 2020, sipas deklaratës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten thellësisht të shqetësuara për kërcënimin e dhunshëm ekstremist të motivuar racialisht ose etnikisht në mbarë botën dhe janë të përkushtuara për t’iu kundërvënë komponentëve transnacionalë të supremacisë së dhunshme të bardhë”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mattheë Miller.
“Aktiviteti i dhunshëm i Lëvizjes së Rezistencës Nordike bazohet në platformën e saj haptazi raciste, anti-imigruese, antisemitike dhe anti-LGBTQI+”, shtoi ai.
Departamenti i Shtetit tha se anëtarët dhe udhëheqësit e grupit kanë kryer sulme të dhunshme kundër kundërshtarëve politikë, protestuesve, gazetarëve dhe të tjerëve, dhe gjithashtu kanë ndërmarrë hapa për të mbledhur dhe përgatitur armë dhe materiale shpërthyese dhe kanë organizuar trajnime në taktika të dhunshme, duke përfshirë luftimin me thika.
Vendimi i së premtes ngrin çdo pronë të grupit në SHBA dhe në përgjithësi i ndalon amerikanët të merren me të.
Presidenti i SHBA Joe Biden ka kritikuar supremacinë e bardhë gjatë kohës që ishte në detyrë. Ai shpesh thotë se tubimi i nacionalistëve të bardhë “Unite the Right” në Charlottesville, Virxhinia, në vitin 2017 e bëri atë të vendoste që ai të kandidonte për president në vitin 2020.