Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës po diskutohen aktualisht në Bruksel.
Ndër të tjera, ai përmendi edhe deklaratën e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili të martën qëndroi në Kosovë ku, pas një takimi me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, tha se për mendimin e tij, masat e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen.
Megjithatë, Rohde theksoi se kjo çështje është në duar të shteteve anëtare.
“Ka një diskutim që po zhvillohet në Bruksel dhe do të shohim se çfarë do të vendosin. Tani është në duart e shteteve anëtare. Mendoj se përfaqësuesi i posaçmi i BE-së për dialogun, ishte dje në Kosovë, ai dha mendimet e tij, masat duhet të hiqen, të shohim se çfarë vjen”, ka thënë Rohde për Ekonomia Online.
Kujtojmë se, në vizitën e tij në Kosovë, pas takimit me zëvendëskryeministrin, Bislimi, Lajçak u deklarua për media, ku tha se arsyeja e vizitës së tij në Prishtinë ka qenë për të diskutuar rifokusimin në procesin e normalizimit dhe se çfarë hapa duhet të ndërmerren tutje.
Më tej, kishte theksuar se në takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi diskutuan për përshpejtimin e Marrëveshjes Bazike, por edhe për çështjen e Planit të Rritjes.
“Çështja e dytë që e diskutuam ishte Plani i Rritjes, që është një instrument i ri financiar i BE-së që po ofrohet me 6 miliardë euro investime”.
“Por, për Kosovën e Serbinë ky disbursim i fondeve është i kushtëzuar me angazhimin konstruktiv në dialog dhe këtu jam unë ai që duhet të bëjë këtë vlerësim për konstruktivitetin. Mu për këtë kemi diskutuar se si të arrijmë te vlerësimi pozitiv”, kishte thënë Lajçak.