Asnjë vendi tjetër kandidat nuk i janë kërkuar kaq shumë reforma se Kosovës përpara anëtarësimit në Këshillin e Europës, pohoi ligjvënësja greke Dora Bakojani, hartuesja e një raporti mjaft pozitiv për këtë përpjekje të Kosovës.
Në një shkrim të publikuar në European Western Balkans, ajo thekson se “për të ardhur tek opinioni pozitiv, u deshën 300 ditë, misione në Prishtinë, Mitrovicë të Veriut dhe Bruksel, një ekip i specializuar e dhjetëra takime me qeveritarë, ambasadorë, bashkiakë serbë, përfaqësues të Kishës Ortodokse Serbe, organizata joqeveritare e organizata ndërkombëtare”.
“Po ashtu raporti ka kërkuar nga autoritetet në Prishtinë që pas 25 vjetësh të rivendosin pronën e manastirit më të rëndësishëm serb në rajon, që të tërhiqnin një projektligj për shpronësimin e pronave serbe dhe të nënshkruanin një listë marrëveshjesh për të drejtat e njeriut, e mbi të gjitha, ta vendosin komunitetin serb nën mbrojtje ndërkombëtare”, nënvizon deputetja.
“Asnjë kandidati nuk i është kërkuar të kryejë kaq shumë reforma para se të sillet për diskutim çështja e pranimit të tij në organizatë. Kjo me gjasë është arsyeja pse 83 për qind e Asamblesë votoi pro raportit”, shprehet ajo.
Bakojani i përmend megjithatë edhe lidhjet e saj të veçanta me popullin serb duke theksuar se raporti i saj pozitiv për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës i është kushtuar “vetëm të drejtave të njeriut dhe nevojës për t’i sjellë dy milionë evropian nën ombrellën demokratike të KiE-së”.