Po sikur të bojkotiohen “produktet” e BFI-së?

Shaqir Fetai po kujdeset që institucionalisht të krijojë një hendek në mes të hoxhallarëve dhe besimtarëve! Nxjerr çmimore të kripura, me të vetmin qëllim që, myslimanët të iritohen prej hoxhallarëve dhe të shmanget sa të jetë e mundur më shumë lidhshmëria në mes të besimtarëve dhe hoxhallarëve! Këta të BFI-së së Shaqir Fetait janë bërë për faqe të zezë

Nga Musli Mehmedi

Javën e kaluar, gati në të gjitha shtetet e Evropës Juglindore u zhvillua një aksion që kishte të bëjë lidhur me ngritjen enorme të çmimeve të produkteve të ndryshme vendore. Aksioni filloi nga Kroacia e Sllovenia dhe përfundoi në Maqedoninë e Veriut. Një ditë të tërë të bojkotohen të gjitha produktet me çmime të stërfryera nëpër marketet e vendit! Bojkoti rezultoi i suksesshëm dhe me efektet që priteshin, sakaq nëpër markete nisi ulja e çmimeve deri në nivele të arsyeshme.
Në ndërkohë, Organet e Bashkësisë Fetare Islame të Shaqir Fetait na e publikojnë një “çmimore” të cilën mbase e kanë miratuar në mbledhjen e fundit të “rijasetit” i cili tashmë është shndëruar në organ miratues të tekeve alogjike të Shaqir Fetait. “Çmimorja” e Shaqir Fetait, apo e miratuar prej tij, përfshinë çmime të cilat myslimanët e vendit duhet t’i paguajnë përkundrejt “shërbimeve” që do t’ua kryejnë hoxhallarët e vendit! Jo që janë shumë të kripura, jo që janë çmime të pista, jo që pasqyrojnë angazhimin “teologjik” për t’i zhvatur e këputur myslimanët e shkretë të vendit, por, krijojnë tmerrësisht një hendek edhe më të madh në mes të myslimanëve dhe hoxhallarëve të vendit.
Myslimanët e vendit tashmë e kanë kulturë shpirtërore taksën vjetore që njihet si “çmimi i anëtarësimit” i cili është më i shtrenjti në Ballkan! Me këtë anëtarësi, si dhe me fitrin dhe zeqatin qe e japin myslimanët e vendit, sigurohet rroga për hoxhallarët e angazhuar por dhe shërbimet e tyre përkundrejt xhematit të vet. Për ekstra shërbime, xhemati gjithmonë është kujdesur që t’ia japë hakun hoxhës me aq sa ka pasur mundësi, madje pa e kërkuar hoxha. Do me thënë, xhemati kurrë nuk ka pranuar që t’u hyjë në hak hoxhallarëve.
Por, ja që Shaqir Fetai kujdeset që, institucionalisht të krijojë një hendek në mes të hoxhallarëve dhe besimtarëve! Nxjerr çmimore të kripura, me të vetmin qëllim që, myslimanët të iritohen prej hoxhallarëve dhe t’i shmangin sa të jetë e mundur më shumë lidhshmëritë në mes të besimtarëve dhe hoxhallarëve!
Myslimani paguan një jetë të tërë anëtarësim, me qëllim që hoxhës t’i sigurohet një pagë e dinjitetshme, ndërsa, Shaqir Fetai tash e tutje ka vendosur që hoxha të mos thirrë për asnjë mysliman të vdekur “temxhid”! Do me thënë, hoxha nuk ka kurrfarë nevoje për ta respektuar atë mysliman i cili ka participuar që hoxha të ketë një pagë mujore! Ky nderim i hoxhës për një mysliman të vdekur, për të cilin duhet ta informojë xhematin se u bë për rahmet njëri prej xhemateve tona, pra, ky nderim kushton 500 den! Turp e për faqe të zezë!
Hoxha nuk duhet të ketë kohë dhe, nuk duhet që të kërkojë prej xhematit nga i cili është ndarë një besimtar i devotshëm, të kushtojnë pak kohë që t’ia këndojnë një Kelimei Teuhid, pa ia paguar hoxhës edhe nja 2500 den. Po nëse besimtari është qyl fukara dhe anëtarët e familjes dëshirojnë që fetarisht ta përcjellin anëtarin e dashur të familjes por që nuk kanë mundësi të paguajnë sipas çmimores së Shaqir Fetait – çfarë do të bëhet me këtë rast?!
Myslimanët e vendit, për shkak të rrebelimit të hoxhallarëve të Shaqir Fetait do të nisin që ceremonitë fetare t’i kryejnë vetë, madje ta ndalin gjithnjë e më shumë edhe anëtarësinë! Për një dua të veçnatë të kërkuar prej ndonjë besimtari, hoxha duhet të paguhet 500 den! Për këndimin e ezanit dhe të ikametit në veshë të të posalindurit hoxha duhet të paguhet 1500 den. Po pse a nuk mundet këtë shërbim ta kryej çdo pjesëtarë i familjes, a?
Për një çertifikatë të hamamit, në të cilën hoxha duhet t’i shkruaj nja dy-tre fjalë standarde gjatë një kurorëzimi formal në një shtet ateist, duhet të paguhet 3000 den, ndërsa për shkurorëzim 6000 den! Për duanë e dhëndrit 1500 den! Po pse a nuk paska mundësi askush të futet në dhomën e dhëndrisë pa ia paguar hoxhës së Shaqir Fetait 1500 den.?
Ja pra, ja se si ia bëjnë hizmetin largimit apo edhe bojkotimit të hoxhallarëve nga ana e besimtarëve! Kurrë nuk ka qenë më keq e më trishtim! Në mënyrë kaq institucionale të zhvaten besimtarët – kjo nuk ka bërë vaki! Po vërtetohet gjithnjë e më shumë se, fatkeqësisht, këtë mision ka Shaqir Fetai: të lejojë dhe të miratojë çmimore që do të ndikojnë në prishjen e raporteve hoxhë-besimtar! Besimtarët do të vetëdijësohen shumë shpejt dhe, nëse jo në mënyrë popullore, në mënyrë të heshtur do t’i bojkotojnë këto “çmimore” si dhe hartuesit dhe miratuesit e tyre. Bojkoti duhet të jetë gjithëpopullor, derisa të pranojnë hoxhallarët e manipuluar nga Shaqir Fetai që të jenë në shërbim të besimtarëve dhe jo besimtarët në shërbim të këtyre manipulatorëve! Zatën kur rritja e taksave prek në palcën e qytetarit sakaq vjen “revolucioni”, ndërsa taksavjelësit shpërndahen nëpër “dynja” duke ikur nga ata që ua kanë thithur pikën e djersës!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *