Me mbështetjen që po i Rusisë, Kina po ia lehtëson punën në pushtimin e Ukrainës, paralajmëruan të premten liderët e ekonomive më të përparuara të botës, duke rritur tonin e tyre kërcënues ndaj Pekinit, ndërsa kanë paralajmëruar se do të vendosin sanksione të mëtejshme ndaj kujtdo që mbështet materialisht makinerinën luftarake të Moskës.
Paralajmërimi i ashpër, i lëshuar në fund të samitit vjetor të Grupit të Shtatë (G7) në Itali, vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara rritin përpjekjet diplomatike për të bindur Evropën të marrë një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës lidhur ndihmat ushtarako-industriale që po i jep Rusisë, raporton cnn.
“Mbështetja e vazhdueshme e Kinës për bazën industriale të mbrojtjes ruse i mundëson Rusisë të vazhdojë pushtimin në Ukrainë dhe ka implikime të rëndësishme dhe të gjera të sigurisë”, thanë udhëheqësit e G7 në një deklaratë të premten. “Ne i bëjmë thirrje Kinës që të ndalojë dërgimin e materialeve me përdorim të dyfishtë, përfshirë komponentët dhe pajisjet e armëve”, shkruan në deklaratën e përbashkët të liderëve pas përfundimit të samitit.
Udhëheqësit kërcënuan gjithashtu veprime të mëtejshme, duke përfshirë sanksione, për të ndëshkuar entitetet kineze që ata thonë se ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet perëndimore.
“Ne do të vazhdojmë të marrim masa kundër aktorëve në Kinë dhe vende të treta që mbështesin materialisht makinerinën e luftës ruse, duke përfshirë institucionet financiare dhe subjektet e tjera në Kinë që i mundësojnë Rusisë të prokurojë artikuj për industrinë ushtarake”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Udhëheqësit e G7 premtuan gjithashtu të prezantojnë “masa kufizuese për kufizuar qasjen në sistemet tona financiare”.
Zyrtarët amerikanë kanë akuzuar Kinën se po ndihmon Rusinë të zgjerojë prodhimin ushtarak, duke përfshirë eksportet e gjërave si gjysmëpërçuesit, materialet dhe veglat e makinerive që ata thonë se lejojnë Moskën të rrisë prodhimin e tankeve, municioneve dhe automjeteve të blinduara.
Pekini i ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ka furnizuar me armë asnjërën palë dhe se mban kontrolle të rrepta mbi eksportet e mallrave me përdorim të dyfishtë. SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur tashmë sanksione ndaj kompanive kineze dhe këtë javë SHBA vendosi sanksione të reja ndaj kompanive me bazë në Kinë që furnizojnë Rusinë me gjysmëpërçues.
Kujtojmë se në ditën e parë të samitit, G7 ra dakord t’i jepte Ukrainës 50 miliardë dollarë kredi që do të kompensohen nga interesat e aseteve të ngrira ruse.
Në draft dokumentin përfundimtar, udhëheqësit e grupit premtuan gjithashtu se do të vendosin sanksione ndaj kujtdo që ndihmoi Rusinë të shmangte sanksionet mbi eksportet e naftës duke e transportuar atë fshehurazi.