Për shkrimtarët e heshtur dhe mungesën e guximit intelektual

Shkruan: Shkëlzen HALIMI

Çmimet për letërsi ndahen edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë. Por, diçka të tillë nuk kanë shkrimtarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Nuk kanë asnjë çmim (tradicional) që do t’u ndahej më të mirëve, bie fjala, në fund të vitit? Fatkeqësisht, diçka të tillë nuk kanë. Ndonjë nga ata që shkruajnë tregime e vjersha, herë – herë edhe shpresojnë për “mëshirë” nga Shqipëria e Kosova, së paku për ta arsyetuar eventualisht idenë e gjithë-përfshirjes.

Komuniteti (nëse mund të thuhet kështu) i shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është një komunitet që nuk vlerësohet, një komunitet që nuk ka çmim dhe disi i mbetur margjinave të rrjedhave të prodhimit letrar. Dhe, duket qartë se këtij komuniteti kjo mungesë nuk i bën fare përshtypje.

Në fakt, nuk është komunitet që nuk boton, përkundrazi ka aq shumë botime, sa që për dikë nga jashtë ndoshta do të konsiderohej i pabesueshëm numri i botimeve brenda një viti. Botohen edhe mbi 100 vepra letrare, të subvencionuara nga Programi vjetor për botime i Ministrisë së Kulturës, por të cilat botime askush nuk e di të tregojë se ku përfundojnë, sepse në të gjitha vendbanimet shqiptare të Maqedonisë së Veriut funksionojnë jo më shumë se 3 librari, fakt ky që gjithashtu nuk i bën përshtypje këtij komuniteti.

Pra ky komunitet deri më tani nuk e ka iniciuar as si ide themelimin e ndonjë çmimi për letërsi dhe është pak e besueshme ta iniciojë, sepse nuk ka potencë për diçka të tillë. Nuk e inicion, sepse është i fragmentarizuar dhe i barrikaduar secili në “nahinë” e vet, ndaj dhe është e kuptueshme se pse e kemi këtë gjendje. Çdo qytet (i banuar me shqiptarë) i ka shkrimtarët e vet, bile – bile, shkrimtarët e vet i kanë edhe disa fshatra me numër të madh banorësh dhe veprojnë brenda rrethit të tyre. Është edhe mafia letrare, e cila abuzon tmerrësisht keq me librin. Pastaj janë edhe disa grupime, ku të ashtuquajturit poetë e “marrin” mësysh njëri – tjetrin.

Kjo, gjithsesi është edhe pasojë e mungesës së debatit brenda shkrimtarëve. E për të pasur debat, nevojitet edhe pak njohuri. Ndaj, arsyetimi i këtyre farë “shkrimtarëve” është heshtja dhe janë bëri si “qengji i but që thith dy nëna”. Kurrë, ama bash kurrë, shkrimtarët shqiptarë që jetojnë e veprojnë në Maqedoninë e Veriut nuk kanë debatuar qoftë edhe për problemin më të vogël. Kurrë, ama bash kurrë nuk është dëgjuar zëri i tyre për kulturën, arsimin, për politikat dështuese të subjekteve politike.

Nuk dëgjohet as tani kur anonimët e zgjedhur bënë vlerësimin e projekteve për këtë vit, me ç’rast u vlerësuan disa individë, por edhe shumë emra që nuk njihen as në lagjet e tyre. Disa individë u fyen e disa individëve iu sigurua një pushim veror në bregdetin shqiptar, sepse për projektet e tyre do të bëjnë harxhime minimale dhe me reston e mjeteve do të rreziten buzë detit, kurse projektet nuk do t’i shohë askujt.
Pra, kemi të bëjmë me një komunitet që ka zgjedhur të vegjetojë margjinave të të gjitha ngjarjeve, përfshi edhe ato që dëmtojnë indin kombëtar. Nuk dëgjohet zëri i tyre, sepse janë të pazëshëm. Janë të shumtë ata shkrimtarë që si shenjë burrërie, në kuptimin e guximit, i kanë vetëm pantallonat. Nuk shohin më larg hundës së tyre. Disa nuk janë as hermafroditë. Pra, komuniteti i shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, është një komunitet i përgjumur, impotent që ka zgjedhur vetëkënaqësinë dhe nuk e di akoma se pse e nënçmon vetveten…

Guximi intelektual nënkupton aftësinë për të menduar dhe vepruar në mënyrë të pavarur. Individi me guxim intelektual nuk frikohet nga sfidat dhe është i vendosur për t’u përballur me vështirësitë për ta nxjerrë në pah të vërtetën. E kundërta e guximit intelektual realisht duhet të jetë frika intelektuale, me të cilën karakterizohet komuniteti në fjalë. Guximi intelektual lidhet me respektimin dhe mbështetjen e vlerave të intelektualizmit, siç janë transparenca, sinqeriteti dhe integriteti intelektual.

Aktualisht, a mund të veçohet ndonjë vlerë intelektualizmi te shoqëria shqiptare e Maqedonisë së Veriut, kur është më se e dukshme mungesa e guximit intelektual? Fatkeqësisht është një pyetje, e cila thjeshtë e nënkupton përgjigjen. Sepse pikërisht mungesa e guximit intelektual, ka bërë që shoqërinë shqiptare ta mbulojë një mjegull, brenda se cilës mjegull ndodhin gjëra të çoroditura dhe të turpshme për një shoqëri normale. Nuk mund të veçohet asnjë vlerë, sepse ata që duhet ta thonë të vërtetën, janë mbyllur brenda lëvozhgave të tyre dhe kanë frika ta shikojnë në sy realitetin, që për fatin tonë të keq, ka kohë që është mbuluar me një zymtësi të dhimbshme.

Brenda shoqërisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nuk pushojnë së qarkulluari zëshëm vagonët e së keqes, por kjo askujt nuk i pengon, mbase pa këto dukuri të shëmtuara nuk mund të jetohet. Një vagon të tillë sapo arriti nga programi vjetor i Ministrisë së Kulturës. Pra, mungon zëri i arsyes, zëri i atyre, të cilët në vend që t’i shërbejnë të vërtetës, kanë zgjedhur t’i shërbejnë dhe t’ia hapin rrugën dukurive të shumta negative që e kanë dëmtuar deri në palcë indin kombëtar.

Pos dy – tre zërave që e kanë flakur frikën dhe të bardhës i thonë të bardhe e të zezës – të zezë, realitetin e intelektualëve të tjerë anemik, e skicojnë analfabetët, të cilët kanë marrë rolin e shpëtimtarëve të shoqërisë shqiptare.

Dhe, mos të harrojmë se në Maqedoninë e Veriut intelektual e konsiderojnë veten një armatë e profesorëve, studentëve, shkrimtarëve, mjekëve, aktorëve, piktorëve, gazetarëve, analistëve, të punësuarve në administratën shtetërore, pastaj të gjithë ata që (të përgjumur) kanë magjistruar e doktoruar në drejtime të ndryshme…Janë të shumtë në numër, por askund nuk vërehen.

Ndërkaq intelektualizmi konsiderohet si një qasje që promovon ndërgjegjësimin intelektual dhe përdorimin e mendjes për të arritur njohuri dhe kuptim më të thellë të realitetit. Kur nuk përdoret mendja, atëherë vjen në shprehje gjumi dhe injoranca, të cilat e kanë kapluar shoqërinë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *