Shejtani nën lëkurën e melaqes

Shaqir Fetai nanë paska dale edhe me një nga ato filozofemat e tij prej avdalli dhe na paska folur mbi xhelozinë dhe egoizmin, mbi këto dy vese dominante në konstruktin entij mental e shpirtëror

Nga Hisnishahe Behluli

Në botën e udhëheqjes fetare dhe institucionale, ndershmëria, transparenca dhe shërbimi i përkushtuar ndaj komunitetit janë vlera të panegociueshme. Kur një individ, në këtë rast Shaqir Fetai, perceptohet si përfaqësues i interesave të huaja përveç atyre që lidhen me misionin e tij fetar, është e natyrshme që veprimet e tij të ngjallin shqetësim dhe të analizohen me një sy kritik.
Përmes veprimeve dhe retorikës së tij të djallëzuar, Shaqir Fetai është shfaqur shpesh si një figurë kontraverse, duke u konsideruar nga shumëkush si një instalacion që përfaqëson interesa të huaja dhe që minoi themelet mbi të cilat qëndronte institucioni që ai tani e ka degraduar deri në kotec. Këto perceptime kanë bazë në një seri veprimesh që e kanë shoqëruar karrierën e tij, të cilat kanë ndikuar jo vetëm në dëmtimin e imazhit të tij personal, por edhe në atë të institucionit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI).
Egoizmi dhe xhelozia janë dy nga pasionet që mund të çojnë çdo individ drejt një shtegu destruktiv, veçanërisht nëse këto cilësi mbizotërojnë te një udhëheqës. Në rastin e Shaqir Fetait, pretendimet për eliminimin e figurave kyçe të institucionit, përfshirë përndjekjen prej udbashi të Nexhat Ibrahimit dhe organizimin e një puçi kundër ish-reisit, përforcojnë pikëpyetjet rreth etikës dhe moralit të tij. Një udhëheqës i devotshëm dhe i ndershëm nuk do të lejonte që ambiciet personale të cenonin mirëqenien e institucionit nga i cili ushqen familjen.
Kur një individ përdor metoda që përfshijnë eliminimin e figurave me reputacion dhe kontribut të spikatur për të konsoliduar pushtetin, ai tregon se interesi i tij kryesor nuk është shërbimi ndaj komunitetit, por ruajtja e një pozite personale. Kjo është një formë e qartë e tradhtisë ndaj besimit që i është dhënë nga bashkësia fetare si dhe ndaj bashkëpunëtorëve nën hijen e të cilëve Shaqir Fetai po kalbej si myshku.
Shaqir Fetai shpesh ka bërë thirrje për të shmangur xhelozinë dhe egoizmin, duke i paraqitur ato si “sëmundje të rënda”, dy vese këto që në fakt janë konstrukti mental e shpirtëror i tij. Ndaj, ky diskurs del të jetë më shumë një pasqyrim i vetes së tij sesa një këshillë e sinqertë. Të flasësh për vlera që nuk i përfaqëson dhe të përdorësh këtë retorikë si një maskë për të mbuluar veprimet e dëmshme, është hipokrizi e pastër.
Një “djall i mbështjellë me lëkurë engjëlli”, siç e kanë përshkruar shumëkush, nuk është i aftë të frymëzojë apo të drejtojë. Veprimet e tilla jo vetëm që çorientojnë komunitetin, por edhe i japin argumente armiqve të besimit dhe kombit për të sulmuar integritetin e institucioneve tona.
Bashkësia Fetare Islame nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë prona personale e askujt. Ajo përfaqëson një shtyllë themelore të besimit dhe jetës shpirtërore të myslimanëve. Çdo tentativë për ta përdorur këtë institucion si një mjet për përfitime personale apo si një arenë për luftëra të brendshme është një akt tradhtie ndaj të gjithë atyre që i besojnë këtij institucioni për udhëzim shpirtëror dhe moral.
Një udhëheqës i vërtetë duhet të shfaqë:
a) transparencë, b)vetë-reflektim, c) përkushtim ndaj komunitetit, d) etikë dhe moral.
Rasti i Shaqir Fetait është një thirrje për reflektim të thellë mbi rëndësinë e ndershmërisë, moralit dhe transparencës në drejtimin e institucioneve fetare dhe jo me na shitë kopalla bajate. Nëse ai apo kushdo tjetër shfaq prirje për të vendosur interesat personale mbi ato të komunitetit, atëherë është detyrë e besimtarëve dhe e strukturave përkatëse që të reagojnë dhe të ndërmarrin masa për të rikthyer integritetin e institucionit. Bashkësia Fetare Islame meriton një udhëheqës që i përkushtohet me gjithë qenien shërbimit ndaj komunitetit, duke frymëzuar respekt dhe besim te të gjithë anëtarët e saj. Vetëm përmes një lidershipi të tillë mund të ruhet uniteti dhe misioni i shenjtë i këtij institucioni, dhe jo përmes portretizimit të personalitetit të vet prej xhelozi dhe egoisti të sëmurë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *