29 vite që nga gjenocidi në Srebrenicë. Më 11 korrik 1995, forcat serbe masakruan më shumë se 8,300 burra dhe djem boshnjakë mysliman. Për herë të parë këtë vit, 11 korriku shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pasi kjo organizatë miratoi një rezolutë për Srebrenicën më 23 maj. Në Qendrën Përkujtimore Potoçari këtë vit varrosen mbetjet mortore të 14 viktimave të gjenocidit. Viktima më e re që do të varroset është 17 vjeç, ndërkaq më e vjetra 68. Ndërkaq, shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Zhozep Borrell, tha se korriku i vitit 1995 ishte një prej kapitujve më të errët të historisë moderne evropiane. Ai shkroi se “Srebrenica vazhdon të jetë një plagë e thellë në historinë e Evropës. Dështimi për të parandaluar këtë gjenocid është një barrë që ne vazhdojmë ta bartim”. Më herët gjatë ditës, Kuvendi i Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur për 29-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, miratoi një deklaratë që përkujton dhe nderon viktimat e gjenocidit. Gjithashtu, gjatë ditës së djeshme, dhjetëra aktivistë të të drejtave të njeriut mbajtën pankarta në Beograd për të përkujtuar viktimat e masakrës së Srebrenicës. Në banderola shkruhej: “Solidaritet. Ne nuk do ta harrojmë kurrë gjenocidin në Srebrenicë. Përgjegjësi. Deklaroni, Deklaroni”. Krimi në Srebrenicë më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë u njoh si gjenocid i kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska. Gjykata gjeti Serbinë fajtore për mos parandalimin dhe mos ndëshkimin e përgjegjësve të gjenocidit.