Shkruan: Avni Halimi
Na qenka një nen (1) në ligjin për kulturë i cili po i detyruaka të gjithë artistët e institucioneve nacionale që të punojnë me kontratë pesëvjeçare në vepër dhe, pas çdo pesë viteve nëse dëshirojnë të merren me arte përkatës, duhet që të rikonkurojnë në konkurse dhe të futen nëpër audicione! Deri më sot në RMV një ligj i tillë nuk është aplikuar as në Filarmoni, as në Balet, as në Operë, as në Teatër, as në Ansamblin maqedonas “Tanec”! Ky ligj qenka i vlefshëm vetëm për Ansamblin e Këngëve dhe Valleve të Shqiptarëve të RMV-së!
Çka është Ansambli i këngëve dhe valleve popullore? Natyrisht, është një institucion që ruan, kultivon dhe prezanton thesarin e begatë kulturo-artistik të një populli. Ky thesar prezantohen nga artistë reprezentativë të kësaj fushe dhe, këta artistë, në kuadër të një Ansambli paraqesin vlera ndër më të lartat artistike të popullit përkatës. Pra, janë vlera dhe nuk luajnë rolin e çorapeve apo mbathjeve që duhet të ndërrohen në çdo mbrëmje apo në çdo mëngjes, siç po pretenduaka një “ligj” i tillë, i vlefshëm vetëm për shqiptarët, për më tepër, për drejtorin aktual të Ansamblit!
A mund të bëhet kulturë me artistë sezonal? Po pse 34 artistë të këtij Ansambli kanë ngelur të trajtohen si artistë sezonal, si artistë që do të rikonkurojnë në çdo pesë vjet nëse dëshirojnë të shfaqin vlerat më të larta kulturo-artistike të shqiptarëve? Prej nga kjo e drejtë e drejtorit, e ministrit të Kulturës, e ministrit të Financave? Pse kjo sjellje jo vetëm noshalante, por edhe shumë fyese e subjektit politik që e themeloi këtë Institucion Nacional? Pse pesë vite me radhë t’i mbajë artistët me kontratë në vepër dhe t’i llogarisë si thasë që duhet të sjellin vota nëse dëshirojnë të “arnohen”! Dhe, tashti, fajtore qenka qeveria aktuale që nuk po hap konkurs për ripranimin e këtyre 34 artistëve! Fyerje e skajshme e të gjithë atyre që mendojnë se artistët e popullit që mbi supet e veta profesionalisht mbajnë aktivitetet dhe programet e një ansambli popullor duhet t’i rinënshtrohen konkurseve dhe audicioneve! Këtij rikonkurimi duhet t’i nënshtrohet edhe njëri nga artistët më të shquar shqiptar, këngëtari Jetmir Rexhepi, i cili, pa dyshim, për çdo ansambël do të ishte një vlerë e padiskutueshme interpretative e këngës shqipe. Artistët e këtij kalibri janë pasuri emblematike që kalojnë në legjenda të ansamblit dhe nuk guxon të jenë “qytetarë të rëndomtë” që, si të gjithë të tjerët, kanë të drejtë të kandidojnë e rikandidojnë në një ansambël! Artistët e popullit duhet të trajtohen e të respektohen me dinjitet dhe jo të shikohen thjesht si makineri propagandistike e partisë në pushtet që bëhet “sebep” për buxhetin (pra, edhe për rroga) të artistëve! Artistët e një ansambli janë të popullit dhe jo të një partie, të një pushteti, apo të një drejtori partiak! Artisti ka të drejtën absolute që mos ta përfillë një drejtor, një funksionar partiak apo një ministër, të gjithë këta janë të detyruar që të “nusërojnë” para artistit të popullit! Arlekinët nuk mund të jenë as pjesë e estradës profesionale dhe as e ansambleve popullore! Artistët profesionistë gjithmonë kalojnë në legjenda të institucioneve nacionale! Këtë duhet ta ketë të qartë edhe Shkodran Tolaj, drejtori aktual i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili paska refuzuar të japë dorëheqje për këtë dështim dhe fyerje të dinjitetit të artistëve shqiptarë të RMV-së! Në aspektin e angazhimit artistik profesional Tolaj doli të jetë shumë i suksesshëm, por në aspektin e “arkitektit” të Ansamblit, paskësh menduar se Institucioni Nacional mund të funksionojë edhe pa themele. Artistët janë themeli dhe arsyeja e ekzistimit të një institucioni kulturor, dhe jo “struktura menaxheriale” të ansamblit që mund të ndërrohen si çorapet. /HEJZA/