Kryetari i ri i Këshillit gjyqësor, Aleksandar Kambovski, nuk zbuloi nëse Këshilli po merr masa ndaj gjykatësit Enver Bexheti, i cili në fund të vitit të kaluar përfundoi në listën e zezë të SHBA-së për marrje ryshfeti në rastet e lidhura me ish-kreun e DSK-së Sasho Mijallkov. Kambovski thotë se ligji aktual nuk lejon deklarime publike nëse gjykata po zhvillon apo jo procedurë disiplinore ndaj ndonjë gjykatë.
“Në Këshillin gjyqësor janë duke u zhvilluar disa procedime ndaj gjykatësve, por emrat e atyre kolegëve nuk mund t’i tregoj, duke qenë se ato procedura janë sekrete. Që do të thotë, jo se nuk dua unë apo Këshilli gjyqësor, por ligji na ndalon ta bëjmë publikisht. E vetmja mënyrë që këta emra apo procedime të bëhen të kapshme është nëse vetë ata gjykatës kërkojnë që ato procedura të bëhen publike, atëherë nuk do ta kishim problem të themi se po zhvillohen procedura ndaj ndonjë gjykatësi konkret”, tha Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit gjyqësor.
Këshilli Gjyqësor kishte nisur procedurë për përgjegjësi ndaj Bexhetit, por më pas anëtarët vendosën që ai të dënohet vetëm në të holla, edhe pse konstatuan se çështjen e përgjimeve masive e kishte mbajtur pa të drejtë në sirtar për muaj të tërë, ku i dyshuari i parë ishte Mijallkov. Lidhur me kritikat e ekzekutivit për punën e Këshillit, Kambovski thotë se nuk e ndjen si presion, por është normale që të ketë mosmarrëveshje.
“Pushteti ndahet në pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Është normale që të ketë komunikim mes këtyre tre autoriteteve dhe është normale që ndonjëherë të ketë mosmarrëveshje. Secili punon në domenin e vet dhe secili punon në përputhje me ligjet dhe kushtetutën. Pra, nëse ndonjë nga autoritetet ndonjëherë kritikon njëri-tjetrin, unë nuk e konsideroj atë presion, secili punon brenda kompetencave të veta”, u shpreh Aleksandar Kambovski, kryetar i Këshillit gjyqësor.
Më 3 janar, Kambovski u zgjodh njëzëri si kryetar i ri i Këshillit gjyqësor. Ai është anëtar i këtij organi që nga viti 2024. Ai sot u sot udhëhoqi seancën e parë. /Alsat.mk